Takimi i 2015-ës Nuland-Mustafa | Foto: Zyra e Kryeministrit

Të Dielat e Vizitave të Nuland-it në Kosovë

Nuland pritet të vijë edhe nesër në Kosovë në një të diel të muajit korrik, njësoj siç erdhi edhe dy herat tjera në vitet 2014 dhe 2015.

Në të dielën dhe korrikun e tretë të saj në Prishtinë, sipas ambasadës amerikane, Nuland vizitën do ta nisë me takimin me Presidentin Thaçi, për të vazhduar tutje takimet me kryeparlamentarin Kadri Veseli, Kryeministrin Isa Mustafa, zëvendëskryeministrin Branimir Stojanoviq dhe ministrat Hajredin Kuçi e Enver Hoxhaj.

Në agjendën e ambasadës nuk janë përfshirë takimet me përfaqësues të shoqërisë civile, të cilat paralajmërohen në faqen zyrtare të Departamentit të Shtetit Amerikan (DASh).

Ky departament njofton se Nuland në Kosovë me nikoqirët e saj do të flasë për zbatimin e marrëveshjeve Kosovë-Serbi të nënshkruara në Bruksel dhe për përkrahjen amerikane për integrimin evropian të Kosovës.

Sipas agjendës së lëshuar nga ambasada, nuk janë paraparë takime të Nuland-it me krerët e opozitës.

Analisti Imer Mushkolaj kur flet për KALLXO.com nuk çuditet që zyrtarja amerikane nuk do të takohet me përfaqësues të opozitës.

“Natyrisht, ShBA diskuton me njerëzit që udhëheqin institucionet. Diskutimet me opozitën për problemet që mund te shfaqen, duhet t’i bëjë qeveria. Nuk mund te merret ShBA me menaxhimin e çështjeve të brendshme, të cilat mund të zgjidhen po qe se ekziston vullneti politik,” thotë Mushkolaj.

Por analisti Nexhmedin Spahiu përmend një arsye pse Nuland nuk pritet të takohet me opozitarët.

“Mendoj që për shkak të qëndrimit të opozitës ndaj demarkacionit, Nuland  nuk do të takohet me ta. Mirëpo zakonisht Qeveria Amerikane punon me pushtetin, ndërsa me opozitën bisedon atëherë kur don ta ndërrojë pushtetin,” thotë Spahiu.

Në një të dielë tjetër të 11 korrikut 2014 Nuland gjatë vizitës së saj të parë në Kosovë si ndihmëssekretare amerikane e shtetit për Çështje të Evropës dhe Euroazisë, ishte takuar me kryetarët  LDK-së e AAK-së Isa Mustafa e Ramush Haradinaj, të cilët atëherë bashkë me “Vetëvendosjen” dhe Nismën kishin themeluar bllokun e quajtur VLAN, ndërsa vendi kishte hyrë në krizë politike pas zgjedhjeve të 8 qershorit të atij viti.

Ndihmëssekretarja atëherë takoi edhe Presidenten Jahjaga dhe Kryeministrin Thaçi.

“Në veçanti ajo diskutoi për dialogun Kosovë-Serbi dhe dhe përparimin në zbatimin e marrëveshjes së 19 prillit 2013 të nënshkruar në Bruksel për normalizimin e marrëdhënieve,” thuhej në njoftimin e vitit 2014 të Departamentit Amerikan të Shtetit për vizitën e Nuland-it.

Bëhej fjalë për marrëveshjen e parë të parimeve që rregullojnë normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, në të cilën ishte paraparë themelimi i Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe.

Analistët Mushkolaj e Spahiu parashikojnë se për çfarë do të flasë nesër Nuland me krerët e institucioneve.

“Konsideroj se ajo do ta bëjë të qartë edhe njëherë qëndrimin amerikan për demarkacionin dhe do të kërkojë nga autoritetet çuarjen përpara të çështjes. Por, do të diskutohen edhe çështje te tjera,” thotë Mushkolaj.

Demarkacionin me Malin e Zi e përmend si çështje që do të diskutohet edhe Nexhmedin Spahiu.

“Besoj që temat kryesore që do të diskutohen nesër do të jenë: çështja e demarkacionit, asociacionit si dhe Gjykata Speciale,” thotë Spahiu.

Në të dielën e 12 korrikut 2015 kur Nuland vizitoi përsëri Kosovën sipas Departamentit Amerikan të Shtetit ajo foli me krerët institucionalë sërish për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

As në këtë të diel të vitit të kaluar, sikurse në të dielën e nesërme, Nuland nuk u takua me opozitarët, por tashmë “konfiguracioni” politik në vend kishte ndryshuar.

Nuland përsëri këtë herë takoi Isa Mustafën, por këtë radhë në cilësi të Kryeministrit. Ajo u takua edhe me Presidenten Jahjaga dhe kryeparlamentarin Kadri Veseli.

Pak më shumë se një muaj pas vizitës së Nuland-it, në dialogun e Brukselit më 25 gusht 2015 u arrit marrëveshja që përcaktonte parimet e themelimit të Asociacionit të Komunave Serbe. Një ditë më pas, më 26 gusht 2015 u nënshkrua në Vjenë marrëveshja për përcaktimin e vijës kufitare Kosovë-Mali i Zi.

Gjatë vizitës vitin e kaluar Nuland e la edhe një porosi për deputetët e Kuvendit të Kosovës në lidhje me Gjykatën Speciale, duke shprehur keqardhje që deputetët nuk miratuan themelimin e Dhomave të Veçanta të kësaj gjykate në qershor të 2015-ës.

“Është shumë me rëndësi që të themelohet gjykata dhe shpresoj se do të ketë edhe një votim tjetër për këtë para pushimeve verore,” kishte deklaruar Nuland vjet në një intervistë në televizionin publik.

Kuvendi i Kosovës i hapi udhë themelimit të Speciales vetëm disa javë pas vizitës së Nulandit, më 3 gusht 2015, para se deputetët të shkojnë në pushim veror.

http://kallxo.com/miratohet-gjykata-speciale/

Nuland u emërua ndihmëssekretare amerikane e shtetit për Çështje të Evropës dhe Euroazisë në shtator të 2013-ës. Ajo krahas Kosovës gjatë turneut të saj triditësh do të vizitojë edhe Shqipërinë, Serbinë, Maqedoninë e Qipron.