Të Arrestuarit te Manastiri Ishin Ndalur Vetë

Në mbledhjen e fundit të Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB) të Komunës së Deçanit është diskutuar për gjendjen e sigurisë në përgjithësi dhe arrestimi i katër personave të dyshuar te Manastiri i Deçanit ka qenë tema qendrore.
Me këtë rast, kryetari i Komunës, njëherësh edhe kryesuesi i KKSB-së, Rasim Selmanaj, kërkoi nga komandanti i Stacionit Policor të Deçanit ta njoftojë Këshillin se çfarë ka ndodhur në këtë rast, i cili ka shkaktuar bujë, sidomos pas informacioneve të publikuara në media se dy nga të arrestuarit kishin lidhje me luftën në Siri.

Komandanti Sejdi Dobraj tregoi se personat e dyshuar nuk janë ndalë nga Policia e Kosovës, as nga pjesëtarët e KFOR-it. “Ata ishin ndalë vetë te Manastiri, ku kanë pyetur ushtarët e KFOR-it për t’u orientuar për te kampi “Sparta””, tha komandanti i Stacionit Policor të Deçanit.

Sipas komandantit Dobraj, ndërkohë ka ardhur një patrullë e Policisë aty dhe gjatë identifikimit të personave në veturë dhe gjatë bastisjes kanë hasur në armë.

“Rasti po trajtohet si armëmbajtje pa leje”, tha Sejdi Dobraj në takimin e KKSB-së për muajin janar.

http://kallxo.com/prokuroria-dy-nga-te-arrestuarit-e-decanit-lidhje-me-isis/

Ndërsa, kryetari i Komunës së Deçanit, Rasim Selmanaj, tha me këtë rast se Manastiri ka siguri të plotë dhe përpjekjet për ta kthyer një vend të pasigurt janë të kota.

“Manastiri është një objekt shumë i sigurt, është me siguri të plotë edhe është i mbrojtur nga KFORI dhe nga Polica. Çdo përpjekje e kujtdo qoftë m’e paraqitë që Manastiri në mënyrë të veçantë është i rrezikuar në aspektin e këtyre ngjarjeve nuk qëndron” theksoi Selmanaj.
Katër të arrestuarve tek Manastiri i Deçanit u është shqiptuar masa e paraburgimit prej tridhjetë ditësh nga Gjykata Themelore e Pejës.
Në këtë takim të KKSB-së u diskuan edhe shqetësime që kanë të bëjnë me sigurinë e nxënësve nëpër shkolla.

http://kallxo.com/paraburgim-te-arrestuarve-prane-manastirit/ [interaction id=”56c5ee47ee2dfdd3605d491c”]