Gjykimi i bankierëve | Foto: KALLXO.com

Suspendimi i Prokurorit Shtyn Gjykimin e Zyrtarëve të BPB-së

Seanca e gjykimit të ish-punonjësve të Bankës për Biznes nuk u zhvillua për shkak se prokurori i këtij rasti Ali Rexha është suspenduar.

Kryetarja e trupit gjykues, Shpresa Hasaj- Hyseni, komunikoi në gjykatore se ka pranuar një shkresë nga kryeprokurori i PSRK- së përmes së cilës i është kërkuar që të shtyhet seanca për shkak se “prokurori i çështjes, Ali Rexha, aktualisht është i suspenduar”.

Përveç prokurorit mungoi edhe i akuzuari Pashk Bala, për të cilin gjykatësja Hasaj- Hyseni tha se avokatja e tij ka njoftuar se Bala është në gjendje të keqe shëndetësore.

Shqyrtimi i sotëm gjyqësor u shty për muajin mars.

Nazmi Mustafa, Nail Reshiti, Skender Blakçori, Ismet Brajshori, Islam Zeka, Serafedin Zhitia, Zylfi Arifaj dhe Pashk Bala akuzohen për keqpërdorim të autorizimeve në ekonomi dhe lidhje të kontratës së dëmshme.

Në këtë gjykim, prokuroria ngarkon të akuzuarit se duke punuar në Bankën BpB kanë dhënë kredi në emër të disa bizneseve, ndërsa këto kredi nuk ishin shfrytëzuar nga biznesmenët në emër të të cilëve janë marrë.

Gjithashtu, sipas prokurorisë, filiali i kësaj banke në Pikën Kufitare të Vërmicës kishte bërë marrëveshje me disa klientë të BpB-së që nëse nuk kanë para për t’ua paguar doganën mallrave që sillnin përmes kësaj pike, banka do t’ua paguante zhdoganimin.

Këta bankierë ishin dënuar në dhjetor të vitit 2015, por rasti më pas ishte kthyer në rigjykim.

Atëherë, Nazmi Mustafa, Skender Blakçori dhe Islam Zeka u dënuan nga Gjykata Themelore në Prishtinë me nga 3 vjet burg, ndërsa Nail Reshiti dhe Ismet Brajshori me nga dy vjet e gjashtë muaj burg.

Për lidhje të kontratave të dëmshme Pashk Bala u dënua me dy vjet burg, ndërsa për keqpërorim të autorizimeve në ekonomi Sherafedin Zhitisë iu shqiptua dënimi prej 1 vit e gjashtë muaj burg.

http://kallxo.com/nazmi-mustafa-dhe-bankieret-tjere-shpallen-fajtore/