Gjykimi ndaj zyrtarëve të BpB-së.

Gjykimi ndaj ish-zyrtarëve të BpB-së, kërkohet ekspertiza e tretë

Nazmi Mustafa, Skender Blakçorri dhe Islam Zeka, Nail Reshiti, Ismet Brajshori, Pashk Bala dhe Sherafedin Zhitia, janë ulur sërish sot në bankën e të akuzuarëve në Gjykatën Themelore të Prishtinës.

Ata akuzohen nga Prokuroria Speciale për lidhje të dëmshme të kontratës.

Seanca e sotme vazhdoi me dëgjimin e ekspertit Bali Morina, i cili para gjykatës deklaroi, se për mënyrën e shlyerjes së borxhit flet dokumentacioni, gjegjësisht kartela qarkulluese e vet kredidhënësit, dhe janë sqarimet në faqe të tjera të ekspertizës, ku kredimarrësit janë ngarkuar me lloje të ndryshme të kamatave të cilat kanë qenë në shpërputhje me ligjet në fuqi.

Tutje Morina shtoi se kontratat me të cilat Banka për Biznes është dëmtuar, nuk kanë pasur ndonjë element me të cilin ka mundur të identifikohet se kreditë e nënshkruara në mes kredidhënësit si kreditor dhe kredimarrësit si debitor, kanë qenë të dëmshme, bile për besueshmëri më të lartë të kredidhënësit të gjitha kontratat e nënshkruara kanë pasur garantuesin e parë, garantuesin e dytë, bashkëkredimarrrësin, kolateral dhe hipotekë sipas nevojës.

Morina në fund deklaroi se: “Të gjitha kontrata janë të nënshkruar konform rregullave dhe ligjeve në fuqi dhe si të tilla nuk i kanë shkaktuar dëm këtij institucioni bankar – BpB-së gjegjësisht kredidhënësit i cili e ka edhe si mision dhënien e kredive”.

Përfaqësuesi i palës së dëmtuar – Bankës për Biznes- BpB, avokati Dastid Pallaska, i propozoi gjykatës që të aprovojë propozimin e prokurores së çështjes për caktimin e ekspertizës së tretë.

Përderisa, avokati Artan Qerkini, në emër të të gjithë të akuzuarve e kundërshtoi propozimin e përfaqësuesit të palës së dëmtuar dhe Prokurorisë Speciale.

Sa i përket propozimit te prokurores speciale për caktimin e një ekspertize të tretë, trupi gjykues do të merr aktvendim jashtë seancës.

Seanca e radhës do të caktohet me dt.21.1.2020, në ora 9:30.

Në këtë gjykim, prokuroria ngarkon të akuzuarit se duke punuar në Bankën BpB kanë dhënë kredi në emër të disa bizneseve, ndërsa këto kredi nuk ishin shfrytëzuar nga biznesmenët në emër të të cilëve janë marrë.

Gjithashtu, sipas prokurorisë, filiali i kësaj banke në Pikën Kufitare në Vërmicë kishte bërë marrëveshje me disa klientë të BpB-së që nëse nuk kanë para për t’ua paguar doganën mallrave që sillnin përmes kësaj pike, banka do t’ua paguante zhdoganimin.

Këta bankierë ishin dënuar në dhjetor të vitit 2015, por rasti më pas ishte kthyer në rigjykim.

 

Atëherë, Nazmi Mustafa, Skender Blakçori dhe Islam Zeka u dënuan nga Gjykata Themelore në Prishtinë me nga 3 vjet burg, ndërsa Nail Reshiti dhe Ismet Brajshori me nga dy vjet e gjashtë muaj burg.

Për lidhje të kontratave të dëmshme Pashk Bala u dënua me dy vjet burg, ndërsa për keqpërdorim të autorizimeve në ekonomi Sherafedin Zhitisë iu shqiptua dënimi prej 1 vit e gjashtë muaj burg.

Suspendimi i Prokurorit Shtyn Gjykimin e Zyrtarëve të BPB-së

 

.