Nazmi Mustafa dhe Bankierët Tjerë Shpallen Fajtorë

Ish-punonjësit e Bankës për Biznes u dënuan për keqpërdorim të autorizimeve në ekonomi dhe lidhje të kontratave të dëmshme.

Për këto dy vepra penale  Nazmi Mustafa, Skender Blakçori dhe Islam Zeka u dënuan nga Gjykata Themelore në Prishtinë me nga 3 vjet burg, ndërsa Nail Reshiti dhe Ismet Brajshori me nga dy vjet e gjashtë muaj burg.

Për lidhje të kontratave të dëmshme Pashk Bala u dënua me dy vjet burg, ndërsa për keqpërorim të autorizimeve në ekonomi Sherafedin Zhitisë iu shqiptua dënimi prej 1 vit e gjashtë muaj burg.

Prokuroria ngarkonte të akuzuarit se duke punuar në Bankën “BpB” kanë dhënë kredi në emër të disa bizneseve, ndërsa këto kredi nuk ishin shfrytëzuar nga biznesmenët në emër të të cilëve janë marrë.

Gjithashtu, sipas prokurorisë, filiali i kësaj banke në Pikën Kufitare të Vërmicës kishte bërë marrëveshje me disa klientë të BpB-së që nëse nuk kanë para për t’ua paguar doganën mallrave që sillnin përmes kësaj pike, banka do t’ua paguante zhdoganimin.

Gjykata palën e dëmtuar Bankën për Biznes e udhëzoi që dëmin e shkaktuar ta kompensojë përmes kontestit juridiko civil, ndërsa trupi gjykues vendosi të mos lejojë xhirimin me kamera të shpalljes së aktgjykimit.

Pas përfundimit të seancës e vetmja që pranoi të flasë për KALLXO.com ishte Florije Drevinja, avokatja e Pashk Balës.

“Sot të gjithë të akuzuarit u shpallën fajtorë edhe i mbrojturi im të cilin e kam përfaqësuar është dënuar me dy vjet burgim për shkak të veprës penale lidhja e kontratës së dëmshme, kurse për keqpërdorime në ekonomi është liruar nga aktakuza,” tha Dervinja.

Ajo paralajmëroi ankesë në Gjykatën e Apelit.

“Sa i përket të mbrojturit tim nuk mendoj se është një dënim adekuat për shkak se të gjitha provat që i ka poseduar gjykata dhe ne si mbrojtje nuk ka pasur një kontratë të lidhur në mes të bankës dhe klientit tim Pashk Bala, kështu që ne mendojmë që duhet të ushtrojmë ankesë në Gjykatën e Apelit e pastaj të shohim,” tha Dervinja.