Specializantët Mjekësorë Bojkotojnë Punën për Pagesën e Kujdestarisë

370 specializantë të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (ShSKUK) kanë bojkotuar punën për shkak të mos pagesës së punës kujdestare në dy muajt e fundit.

Përfaqësuesi i grevistëve, Fisnik Veliu tha për KALLXO.com se greva ka filluar sot dhe do të vazhdojë deri në marrjen e një vendimi me shkrim nga Ministria e Shëndetësisë apo ShSKUKpër pagesën e kujdestarive.

“370 specializantë kanë bojkotuar punën në QKUK për shkak se nuk është bërë pagesa e kujdestarisë për dy muajt e fundit. Greva do të vazhdojë deri sa Ministria e Shëndetësisë dhe ShSKUK të bien në dakordim për pagesën e kujdestarisë”, tha Veliu.

Ndërsa zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti, tha për KALLXO.com se specializantët në kuadër te programit te tyre specialistik, përveç pagës, janë paguar edhe për 2 kujdestari që prej kohës kur kjo ministri është drejtuar nga Ferid Agani.

“Tash e dy vjet kujdestaritë ua ka paguar SHSKUK, sepse specializantët ofrojnë shërbime në këtë qendër por, prej janarit SHSKUK nuk ua ka paguar këto dy kujdestari me arsyetimin për mungesë të mjeteve financiare dhe ata, pastaj kane paralajmëruar bojkot. Por, sot ne kemi parë në media që Drejtoria e SHSKUK-së ka vendosur t’ua paguajë sërish kujdestaritë dhe, që pagesa t’u bëhet atyre,  ka qenë e këtij mendimi edhe Ministria”, tha zëdhënësi Hoti.

Sipas tij, Udhëzimi Administrativ për Shkollimin Specialistik e parasheh që në kuadër të pagës që marrin ata si specializantë, t’i ofrojnë së paku edhe 2 kujdestari për ta përmbushur Programin e tyre të specializimit.

“Mirëpo meqë për pagesën e këtyre dy kujdestarive ishte vendour dy vite më parë, është e kuptueshme, që heqja e një pagese të tillë, do të nxis reagime, ndërsa Ministria nuk është e interesuar t’i shohë specializantët duke bërë presione e shpërqendrim nga puna, por t’i shohë duke ofruar shërbime dhe duke e përmbushur Programin e tyre të specializimit, nën mbikëqyrjen e mentorëve të tyre dhe Komiteteve specialistike”, tha Hoti.