Spahiu: Serbët e Veriut po dërgojnë mesazh sikur shqiptarët më 1991

Kryetarët serbë të komunave veriore në Kosovë sot gjatë ditës kanë dhënë dorëheqje të përbashkët nga pozitat e tyre.

KALLXO.com ka raportuar për ngjarjet e sotme në veri.

https://kallxo.com/goran-rakiq-jep-doreheqje/

I kontaktuar nga KALLXO.com, analisti nga Mitrovica, Nexhmedin Spahiu në një bisedë për KALLXO.com tha se taksa prej 100% është embargo, e që sipas tij është një nga stadet e shpalljes së luftës.

“Taksa prej 100% është defacto embargo, shpallja e embargos ndaj një vendi është një stad i luftës me atë vend dhe natyrisht që priten reagime. Kosova duhet t’i dal përballë sfidave. Unë po e shoh si pasojë e pritur nga ata”, tha Spahiu në mes tjerash për KALLXO.com

Ndërsa ai e sheh si mesazh të qartë, vendimin për dorëheqje të kryetarëve të Komunave serbe në veri dhe ngrit paralele me gjendjen politike në Kosovë më 1991.

“Ky është një mesazh i qartë nga ta, sikur në Kosovë në vitin 1991 kur në Kosovë janë shpallur institucionet paralele, gjithashtu institucionet paralele në veri nuk janë shuar kurrë ani pse ka pasur marrëveshje”, tha tutje analisti Spahiu.

Sipas tij, gjendja e krijuar në terren është e përkeqësuar dhe një sfidë për institucionet e vendit.

“Unë nuk shoh ndonjë person në veri që do të shërbente si zëvendësim i përkohshëm në veri, ka qenë Ivanoviq por ai është vra. Kjo gjendje është një përkeqësim i madh në terren dhe një sfidim i madh për Qeverinë”, tha për KALLXO.com, Nexhmedin Spahiu.

KALLXO.com do të iu mbajë të informuar për më të rejat nga komunat veriore.

 

https://kallxo.com/kryetari-i-asamblese-se-mitrovices-se-veriut-institucionet-e-prishtines-nuk-vlejne-me-ne-veri/

.