Dorëheqjet në Spitalin e Mitrovicës, pretendime për presion dhe arsye politike

Në Spitalin e Përgjithshëm “Dr. Sami Haxhibeqiri” në Mitrovicë kohëve të fundit kanë dhënë dorëheqje zyrtarë të lartë të menaxhmentit.

Bëhet fjalë për drejtorin ekzekutiv, Enver Beqiri, drejtorin shëndetësor, Fatbardh Rexha, drejtoreshën e infermierëve, Merita Habibaj  dhe drejtoreshën operative, Hajrie Mustafa.

Në deklarimet për KALLXO.com ata kanë konfirmuar dorëheqjen dhe pretendojnë se arsyeja kryesore është se nuk kanë mundur të ushtrojnë kompetencat e tyre në mënyrë të pavarur.

E Fatbardh Rexha ka thënë se arsye e dorëheqjes ka qenë edhe presioni, sipas tij, nga Naim Bardiqi, sekretar permanent i Ministrisë së Shëndetësisë.

Ai pretendon se kjo ka ndodhur për shkak të parimeve politike dhe prejardhjes familjare.

“Presioni ka qenë prej sekretarit permanent në MSH. Jo për shkak të parimeve profesionale por politike. Për prejardhjen tonë, lidhjet tona familjare. Prejardhja e familjes sime është prej rajonit të Drenicës, iu ka pengu. Vetëm referime profesionale nuk ka pasë”- ka thënë Rexha.

Tutje ai thotë se të njëjtat pretendime sekretari i Ministrisë ia ka transmetuar tashmë ish-drejtorit ekzekutiv, dr. Enver Beqiri.

“Në fakt këto nuk janë askund të shkruara në letër. Sepse presionet politike dhe të tjera përveç profesionale nuk janë notore. Nuk ka askund dokument. Por këto sekretari i MSH ia ka transmetu ish-drejtorit ekzekutiv dr. Enver Beqiri” – theksoi Rexha.

Në lidhje me këtë KALLXO.com ka kontaktuar ish-drejtorin ekzekutiv, Enver Beqirin. Ai nuk ka pranuar të flasë për këto pretendime.

“Arsyen e  dorëheqjes sime e keni të shkruar tekstualisht në dokument. Jo, nuk e komentoj unë mendimin e kurrkujt, s’e komentoj, nuk është natyrë e imja për me komentu. Nuk du me komentu asni sen tjetër. Ju pyetjen që e bëtë për dorëheqje u përgjigja”-ka thënë ai.

Ndërsa sa u përket pretendimeve të Fatbardh Rexhës për presion të ushtruar nga Naim Bardiqi, KALLXO.com ka kontaktuar këtë të fundit.

Ai ka mohuar akuzat e Rexhës. “Nuk qëndron deklarata e kolegut”- ka thënë Bardiqi.

Merita Habibaj, ish-drejtoresha e infermierisë, ka thënë se arsyeja e dorëheqjes ka qenë moslejimi i ushtrimit të detyrës në mënyrë të pavarur.

“Arsyeja është se nuk është më leju me ushtru detyrën në mënyrë të pavarur. Ne të gjithë e kemi arsyen e njëjtë”- ka thënë ajo.

Hajrie Mustafa, ish-drejtoresha operative, nuk ka qenë e qasshme në telefon për ta treguar arsyen e dorëheqjes.

Megjithëse, sipas tashmë ish-drejtorëve të intervistuar, arsyeja e dorëheqjes ka qenë e njëjtë për të gjithë.

Nga drejtoria e SHërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës (SHSKUK) thonë se zëvendësuesi i drejtorit të Spitalit ka dhënë dorëheqje dhe kjo nuk ka ta bëjë me presion.

“Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës, ju konfirmon se zëvendësuesi I drejtorit të Spitalit ka dhënë dorëheqje, e cila është aprovuar nga drejtori I Përgjithshëm i ShSKUK-së. Nuk bëhet fjalë për presion, por dorëheqje të dorëzuar me shkrim. Në vend të tij është caktuar Dr. Laura Nushi”- thuhet në përgjigjen e SHKSUK-së.

Ndërsa sa u përket dorëheqjeve të drejtorëve të tjerë, SHSKUK thotë se ata nuk i përgjigjen drejtorit të SHSKUK-së, nuk caktohen dhe zgjidhen nga SHSKUK, por drejtorit të spitalit, të cilit edhe i përgjigjen.

KALLXO.com ka provuar të marrë përgjigje edhe nga Laura Nushi, ushtruese e detyrës së drejtoreshës ekzekutive në Spitalin e Përgjithshëm në Mitrovicë për ta pyetur rreth gjendjes së spitalit pas dhënies së dorëheqjes të menaxhmentit të mëparshëm dhe me kë janë zëvendësuar ata, mirëpo deri në publikimin e artikullit nuk ka qenë e qasshme.