Kurti për situatën në veri: Do të rekrutojmë policë të rinj

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se do rekrutojnë më shumë policë në mënyrë që të jenë më të pranishëm në veri të vendit.

Në një intervistë për Deutsche Welle Kurti theksoi se në ato komuna ku kryetarët kanë dhënë dorëheqeje, do shkohet në zgjedhje të reja.

“Kemi më shumë policë në veri dhe do të rekrutojmë policë të rinj, në mënyrë që t’i kemi të pranishëm në këto zona. Dhe aty ku kryetarët e bashkive kanë dhënë dorëheqjen, nuk ka asnjë mënyrë tjetër për ne, përveçse të shkojmë në zgjedhje të reja në ato komuna, për të zgjedhur kryetarët e rinj”- është shprehur Kurti.

Tutje, kryeministri Kurti potencoi se nuk mund të marr vendime pasi është kushtetua dhe ligji që rregullojnë çdo problem e situatë.

“Unë mund të marr vendime politike në lidhje me marrëdhëniet midis Kosovës dhe Serbisë, por vetëm në lidhje me funksionimin e brendshëm të shtetit. Unë nuk mund të marr vendime sepse është kushtetuta dhe ligji që parashikojnë dhe rregullojnë çdo problem dhe situatë”- shtoi ai.

Derisa, sa i përket Asociacionit të komunave me shumicë serbe, Kurti u shpreh se nuk mund të pranojë ndarje në vija etnike pasi bie në kundërshtim me Kushtetutën.

Rreth 578 policë kanë dhënë dorëheqje në katër komunat në veri të vendit deri javën e kaluar, 461 janë nga policët e rendit, 107 nga Policia kufitare dhe 10 nga hetuesia.

Qytetarët serbë po kundërshtojnë zëvendësimin e targave ilegale të automjeteve me targat RKS (Republika e Kosovës), duke kërkuar gjithashtu formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Policia e Kosovës: Kapacitetet e zyrtarëve policorë në veri do të rriten gradualisht