Gjykata e Mitrovicës në veri, Foto: KALLXO.com

Gjykata e Mitrovicës në veri po funksionon me tetë gjyqtarë

Vetëm tetë gjyqtarë aktualisht janë duke punuar në Gjykatën Themelore në Mitrovicë në veri, pas ofrimit të dorëheqjeve të personelit gjyqësor nga komuniteti serb.

E seancat që kanë qenë të parapara të mbahen gjatë kësaj kohe, janë duke dështuar në mungesë të trupit gjykues e gjyqtarëve serbë që i kanë pasur të caktuara këto seanca.

Burime të KALLXO.com bëjnë të ditur që palët serbe që i kanë lëndët e tyre në këtë gjykatë vazhdimisht janë duke u paraqitur dhe interesuar për çështjet e tyre gjyqësore.

Nga ana e drejtueseve të kësaj gjykate në veri është bërë edhe identifikimi i disa lëndëve gjyqësore, të cilat mësohet se do të kalojnë në gjykata të tjera rajonale.

Burimet bëjnë me dije se të gjitha gjykatat e tjera kanë shprehur vullnetin që të pranojnë lëndët e identifikuara dhe t’i punojnë ato.

Numri i këtyre lëndëve që do të barten është gjithsej 50.

Për funksionimin sa më të mirë të kësaj gjykate është bërë edhe një plan i përkohshëm i veprimit të punës.

KALLXO.com ka siguruar këtë dokument që përmban planin në fjalë, i cili është i drejtuar si propozim për Kryesuesin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogajn.

Përmbajtja e këtij plani të përkohshëm veprimi është me katër pika.

Pika e parë është që të bëhet riorganizimi dhe funksionimi i departamenteve brenda gjykatës, pika e dytë është identifikimi i lëndëve për bartje në gjykatat tjera, e treta është për riorganizimin e stafit profesional dhe e katërta për riorganizimi i administratës.

Në dy gjykatat që janë në Mitrovicë, atë në jug dhe në atë në veri sipas ueb-faqes zyrtare të Gjykatës Themelore të Mitrovicës, të dhënat tregojnë se janë gjithsej 36 gjyqtarë.

Janë bërë 10 ditë që kur deputetë, asamblistë, kryetarët e komunave me shumicë serbe, zyrtarët policorë, doganierët, prokurorët e gjyqtarët serbw kanë ofruar dorëheqjet e tyre pas suspendimit të drejtorit të policisë në veri të vendit, Nenad Gjuriq.

Në anën tjetër, Presidentja e vendit, Vjosa Osmani dje gjatë ditës ka takuar përfaqësuesit e partive politike për t’i konsultuar për shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në katër komunat me shumicë serbe në veri.

Në veri të Kosovës janë parë disa mbishkrime të reja që bëjnë thirrje për rezistencë të obligueshme nga qytetarët në veri të Kosovës.

“Nga 21 nëntori obligim për të gjithë të bëjnë rezistencë në çdo hap. Brigada e Veriut. Ne nuk dorëzohemi! KM qëndron” – është mbishkrimi i ri i bashkangjitur krah thirrjeve të tjera të vendosura në rrugë e mure të objekteve në veri të Kosovës.

Nga data 21 nëntor është paraparë afati i dytë për targa i cili parasheh gjobitjen e qytetarëve serbë të cilët vozisin vetura me targa ilegale.

Kjo periudhë do të zgjas për dy muaj pra deri më 21 janar 2023.