Foto: RTV 21

Sot Dihet Fituesi i Nobelit për Letërsi

Akademia Suedeze njofton se çmimi Nobel për Letërsi do të ndahet sot me fillim nga ora 13:00, ndërsa shkrimtari i njohur shqiptar, Ismail Kadare, është në mesin e kandidatëve për ta fituar atë.

Është një juri prej 18 anëtarësh të zgjedhur me short sekret që sot do të vendosë për fituesin e këtij viti të çmimit “Nobel” për Letërsi.

Më shumë se gjysma e anëtarëve të akademisë duhet të votojnë fituesin eventual, i cili zgjidhet prej rreth 350 propozimeve të bëra nga ekspertët e letërsisë dhe ish-laureatët e kaluar të “Nobelit” nga mbarë bota.

Industrialisti suedez Alfred Nobel e themeloi çmimin për letërsi në emrin e vet dhe pati thënë në atë kohë se do të dëshironte që çmimi t’i jepet “personit i cili do të prodhojë në fushën e letërsisë veprën më të shquar në një drejti ideal”.

Çmimi Nobel për Letërsi u është ndarë 113 shkrimtarëve që nga viti 1901 – prej të cilëve 14 ishin gra, 28 kishin shkruar në gjuhën angleze dhe 77 në prozë.

“Këtë vit, pavarësisht se bastorja ‘Uniber’ ofron shanse të barabarta për të gjithë favoritët, që nga George Rr Martin tek Kanye West, pritet që Akademia të shkojë me një përzgjedhje të sigurt”, shkruan “The Guardian”.

Dy prej pretendentëve për këtë vit, sipas kësaj së përditshmeje, janë shkrimtari nga Kenia, Ngugi wa Thiong’o dhe ai nga Japonia, Haruki Murakami, emrat e të cilëve për disa vjet me radhë përmenden si favoritë.

Emra të tjerë, që kjo revistë ka futur në listën e atyre që mund të jenë fitues, janë edhe shkrimtari e poeti shqiptar Ismail Kadare, autorja kanadeze Margaret Atwood, Jon Fosse nga Norvegjia, Antonio Lobo Antunes nga Portugalia, Javier Marias nga Spanja dhe Laszlo Krasznahorka nga Hungaria.