Kadare nderohet me dekoratën e ‘Oficerit të Madh të Legjionit të Nderit’ nga presidenti Macron

Shkrimtar Ismail Kadare është nderuar me dekoratën e “Oficerit të Madh të Legjionit të Nderit”, dekoratën më të lartë në Republikën e Francës.

Presidenti Emmanuel Macron ia ka dorëzuar dekoratën shkrimtarit të njohur shqiptar gjatë një ceremonie të organizuar në Pallatin e Brigadave në Tiranë.

Gjatë ceremonisë së dekorimit, Macron ka folur për kontributin dhe rëndësinë e veprës së Kadaresë, duke e renditur atë krahë emrave të njohur të letërsisë europiane dhe një luftëtarë kundër monizmit.

Presidenti Marcon e ka quajtur Kadarenë një lajmëtar të lirisë. Ai tha se Kadare gëzon një respekt në opinionin francez.

“I dashur Ismail Kadare ndonjëherë ju ndjeni keqardhje për ato vite që ju kanë shtypur, që ju kanë penguar të zgjidhnit zërin tuaj, por të jeni të sigurt se vepra juaj nuk ka humbur asgjë nga fuqia e saj. Si poet i Ballkanit, si rapsod i Europës, si lajmëtar i lirisë, për këtë lidhje drithëruese që ju mishëroni kaq çmueshëm mes Shqipërisë dhe Francës, kam nderin t’ju ngre në Gradën e Oficerit të Lartë në Urdhrin e Legjionit të Nderit”- ka thënë Marcon, gjatë ceremonisë së dekorimit të Kadaresë me dekoratën “Oficerit të Madh të Legjionit të Nderit”.

Presidenti francez Emanule Macron po qëndron në një vizitë zyrtare në Shqipëri.