Panairi ‘Prishtina 2023’. Foto: KALLXO.com.

Risitë e edicionit të 23-të të Panairit të Librit në Prishtinë - VIDEO

Edicioni i 23-të i Panairit të Librit në Prishtinë, që nisi të martën ka sjellë mbi 100 botues të librit shqip nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut e Luginës së Preshevës.

Mijëra tituj librash të zhanreve të ndryshme janë ekspozuar në kuadër të këtij panairi.

E veçanta e këtij panairi ishte pjesëmarrja e shkrimtarit Ismail Kadare, i cili ishte i ftuar nderi nga Shoqata e Botuesve të Kosovës.

Gjatë qëndrimit në Kosovë, Kadare ka pasur shumë takime me lexuesit e tij dhe me drejtues të institucioneve shtetërore. Ai është nderuar me urdhërin “Hasan Prishtina” nga presidentja e Kosovë dhe ka marrë titullin qytetar nderi i Fushë Kosovës.

Risi tjera të panairit janë shënimi i përvjetorëve të shumë shkrimtarëve, si 100 vjetori i lindjes së shkrimtarit Jakov Xoxa, promovimi autorëve e botime të veçanta.

Edon Zeneli, kryetar i Shoqatës së Botuesve të Kosovës tha për KALLXO.com se edicioni sivjetëm i këtij panairi është një nga edicionet më të shënuar, pasi sipas tij, kishte të ftuar të nderit shkrimtarin Ismail Kadare, i cili vendosi që veprimtarinë e vetë letrare ta kurorëzonte në qytetin e Prishtinës, pikërisht në panairin e librit.

“Për ne panairi ka suksesin vet për faktin që shënon punë një vjeçare të botuesve. Praktikisht ky edhe është misioni i panairit. Tashmë është shndërruar, le të themi në një festë e cila kurorëzon punën e palodhur kryesisht të njerëzve përgjithësisht të fushës së librit të cilët punojnë pa reshtur për të sjellë mijëra tituj të ri në gjuhën shqipe”- tha Zeneli.

Në kaudër të këtij panair u ekspozuan edhe botime të veçanta dhe ato nga fusha e teknologjisë informative.

Hysamedin Ahmeti, autor nga Presheva tha se në panair ka ekspozuar botimete tij që janë në fushën e elektroteknikës.

“Unë (lexuesve) u kam ofrua 9 libra autoriale, që nga e para atje deri te e fundit kanë të bëjnë themelet elementare elektroteknike në kuadër të së cilave hynë edhe IT-ja, por në përfundim hynë edhe intelegjenca artificiale”- ka thënë Ahmeti për KALLXO.com.

Fatlum Hetemi nga Shtëpia Botues “Albas” tha për KALLXO.com se kanë prezantuar një numër të botimesh të reja.

“E veçanta për ne për këtë panair është prezantimi i Abetares mbarëkombëtare, që është një libër i ri, i hartuar prej specialistëve më të mirë të shqiptarë, në Shqipëri, Maqedoni, Kosovë e Preshevë. Është  libër që gërsheton traditën dhe bashkëkohoren, vjen edhe në variantin multimedial”- tha ai.

Panairi i librit “Prishtina 2023” organizohet nga Shoqata e Botuesve të Kosovës. Panairi i 23-të i Librit në Prishtinë mbyllet  të dielën, më 11 qershor 2023.

Panairi ‘Prishtina 2023’. Foto: KALLXO.com.

 

Panairi ‘Prishtina 2023’. Foto: KALLXO.com.

 

Panairi ‘Prishtina 2023’. Foto: KALLXO.com.