Ismail Kadare bëhet me nënshtetësi të Kosovës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka nënshkruar dekretin me të cilin shkrimtarit shqiptar me famë botërore, Ismail Kadare i jepet nënshtetësia e Republikës së Kosovës.

Sipas Presidentes Osmani, dhënia e nënshtetësisë ikonës së letërsisë shqipe, shkrimtarit Ismail Kadare është nderim për shtetin e Kosovës i cili  është pikë referuese për shqiptarët kudo në botë.

“Republika e Kosovës dhe qytetarët e saj ndihen të nderuar nga personaliteti i shquar i kombit, shkrimtari ynë i përmasave botërore, Ismail Kadare, i cili me krijimtarinë e tij ka afirmuar gjuhën, kulturën dhe traditën tonë”, ka theksuar Presidentja Osmani.

Sipas njoftimit të Presidencës, dekreti i nënshtetësisë, shkrimtarit Kadare do t’i dorëzohet nga Presidentja Osmani gjatë vizitës, e cila do të realizohet në Shqipëri në një periudhë të afërt.

Në qershor të këtij viti, Presidentja Osmani e ka dekoruar shkrimtarin Ismail Kadare me urdhrin “Hasan Prishtina”, më i larti të cilin e jep Republika e Kosovës për personalitetet më të shquara të kulturës, artit dhe shoqërisë.

Kadale vizitoi Kosovën në qershor të këtij viti, në kuadër të Panairit të Librit që u mbajt në Prishtinë.

Ismail Kadare në hapjen e Panairit të Librit në Prishtinë – FOTO