Igor Soltes në konferencë për shtyp. Foto: Kallxo.com

Soltes: Shpresoj që liberalizimi të ndodhë deri në fund të vitit

Deputeti i Parlamentit Europian dhe raportuesi i këtij parlamenti për Kosovën, Igor Soltes, tha se shpreson që deri në fund të vitit kosovarët do të jenë në gjendje të udhëtojnë në vendet e zonës Shëngen pa pasur nevojë për t’u pajisur me vizë.

Në një konferencë për shtyp në Prishtinë, Soltes tha se po mundohet ta bëjë më të mirën që Kosova t’i kalojë procedurat në Parlamentin Europian dhe Komisionin Europian kur të shqyrtohet çështja e liberalizimit të vizave.

“Ne të gjithë po bëjmë më të mirën që t’i përmbushim pritjet. Muajt e ardhshëm do të jenë esenciale dhe shumë të rëndësishëm. Por kjo nuk varet krejtësisht nga parlamenti Europian, ka edhe akterë tjerë të rëndësishëm që e kanë rolin e tyre në këtë proces”, tha ai.

“Mirëpo sinqerisht shpresoj që rekomandimi nga Komisioni Europian do të jetë pozitiv. Kjo do të jetë një mesazh i rëndësishëm edhe për Këshillin Europian që ta japë dritën e gjelbër për liberalizimin e vizave. Sinqerisht shpresoj se liberalizimi do të ndodhë deri kah fundi i këtij viti’, shtoi Soltes.

Ai tha se është shumë e rëndësishme që edhe koalicioni qeveritar edhe opozita në Kosovë të vijnë në një platformë të përbashkët për bisedimet me Serbinë.