Shtatorja e Skënderbeut që do të ngrihet në Budapest (majtas) dhe pamja e heroit në ato të ngritura gjithandej (djathtas) – Foto: Twitter/Wikimedia

Skënderbeu ‘me Tipare Sllave’ Shokon Shqiptarët

Lajmet se një monument për heroin kombëtar shqiptar, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, do të ngrihet në parkun qendror të Budapestit, fillimisht u mirëprit nga shqiptarët në media.

Megjithatë, entuziazmi filloi të zbehet më 25 korrik, kur ambasadori shqiptar në Hungari, Arian Spasse, së bashku me skulptorin hungarez, Mihaly Gabor, u fotografuan para monumentit gjysmë të gatshëm dhe fotografitë u shpërndanë në rrjetet sociale të ambasadës.

Disa shqiptarë u tronditën nga paraqitja e skulpturës së re të heroit të tyre kombëtar, duke e parë atë shumë ndryshe nga skulpturat dhe imazhet më tradicionale të tij, siç është ajo në sheshin kryesor të Tiranës.

Dekani i Arteve të Bukura në Universitetin e Tiranës, Ardian Isufi, ishte i pari që theu heshtjen dhe vuri në dukje se tiparet e këtij Skënderbeu nuk dukeshin si ato të një shqiptari.

“Nuk kam parë asnjëherë Skënderbeun më të paqartë … Mund të jetë një hungarez, bullgar ose serb, por asnjëherë shqiptar”, shkroi ai në “Facebook” më 27 korrik.

Ai i bëri thirrje Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë që të reagojë, duke pretenduar se tiparet e statujës ishin pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme për të shtrembëruar kulturën dhe historinë shqiptare.

“Unë bëj thirrje … që Ministria e Jashtme të sugjerojë që skulptori hungarez të hyjë në arkivat e Vatikanit dhe të shqyrtojë fizionominë e Skënderbeut … meqë ka dhjetëra gravura që e interpretojnë atë”, sugjeroi Isufi.

Ky postim nxiti një protestë publike për skulpturën, e cila bëri që ambasada shqiptare në Hungari të largojë postimet në mediat sociale, ndërkohë që ambasadori Spasse shkroi në “Facebook” pas reagimit negativ, se statuja ishte vetëm në fazën e modelimit dhe do të pësonte ndryshime.

“Modeli i paraqitur do të pësojë ndryshime, duke marrë tiparet (e Skënderbeut) që shqiptarët e njohin”, shkroi ai.

Megjithatë, dyshimet në lidhje me rezultatin e skulpturës përfundimtare mbeten të mëdha.

Ilir Lluka, artist audiovizual, tha për BIRN se statuja ishte shqetësuese, pasi dha një ide të përgjithshme se shqiptarët dhe nacionalitetet sllave janë një dhe të njëjtë.

“Shumë njerëz mund t’i konsiderojnë këto kritika të parëndësishme … por ky është një rast kur paraqitja merr rëndësi, duke kontribuar në një injorancë ndërkombëtare për shqiptarët dhe mbi atë se kush janë ata”, tha ai.

“Identiteti ynë rrezikon të përzihet me atë të të tjerëve derisa të zhduket plotësisht nga mendja e njerëzve”, tha Lluka.

Statuja e Skënderbeut, emri i vërtetë i të cilit është Gjergj Kastrioti, i cili vdiq në vitin 1468, do të ngrihet pranë bashkëkohësit të tij hungarez, udhëheqësit ushtarak dhe politik, John Hunyadi.

Të dy ata luftuan së bashku në shekullin XV kundër osmanëve, duke vonuar pushtimin e Europës Qendrore dhe Perëndimore nga ushtritë myslimane.

Përveç në Shqipëri, statujat e Skënderbeut janë ngritur edhe në Prishtinë, Shkup, Romë, Bruksel, Gjenevë dhe Londër.