Kuvendi i Lezhës 02.03.1444, Foto: Muzeu Historik Kombëtar/Facebook

580 vjet nga Kuvendi i Lezhës

Të shtunën në Shqipëri, më 02.03.2024, është shënuar përvjetori i mbajtjes së Kuvendit të Lezhës.

580 vjet më parë, më 02.03.1444, ky Kuvend u mbajt në katedralen e “Shën Kollit” në Lezhë, nga Gjergj Kastrioti-Skënderbeu.

Sipas historisë, qëllimi kryesor i thirrjes së kuvendit ishte bashkimi i të gjitha forcave në luftën kundër osmanëve.

Ndërkaq, Skënderbeu u zgjodh kryetar i lidhjes dhe komandant i përgjithshëm i saj. Nën udhëheqjen e tij ushtria që ai organizoi, u bë një armë e fuqishme për mbrojtjen e vendit.

Në kuadër të kësaj ngjarjeje, Muzeu Historik Kombëtar në Shqipëri ka organizuar veprimtarinë “Një pasdite në muze” me temë: “Besëlidhja e Lezhës, si produkt i aristokracisë dhe fisnikërisë shqiptare”.

Ata kanë njoftuar se drejtori i këtij Muzeu, Dorian Koçi, e ka vlerësuar krijimin e Kuvendit të Lezhës si “aleancë politike”.

“Në fjalën e tij drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dr. Dorian Koçi tha se Kuvendi i Lezhës u krijua si një aleancë politike dhe ushtarake e fisnikëve shqiptarë kundër pushtuesve osmanë” – thuhet në njoftimin e Muzeut Historik Kombëtar.

Sipas informatave të Muzeut, Skëndërbeu para se të mblidhej kuvendi zhvilloi një sërë takimesh me bujarët shqiptarë, duke i bindur ata se vetëm duke qenë të bashkuar do ti bënin ballë armikut të përbashkët.

“Menjëherë pas Kuvendit të Lezhës, Skënderbeu filloi të organizonte ushtrinë e Lidhjes, e cila përbëhej nga dy pjesë: nga forcat e përhershme dhe nga ato që do të mobilizoheshin në rast lufte. Forcat e përhershme u formuan nga repartet e sundimtarëve shqiptarë, sipas kuotës që u ishte caktuar Lidhja Shqiptare e Lezhës” – kanë treguar nga Muzeu Historik.

Tutje, Muzeu Historik konsideron se Lezha kishte pozicion gjeografik të favorshëm për mbajtjen e Kuvendit.

“Lezha kishte një pozicion gjeografik të favorshëm për mbajtjen e Kuvendit. Ajo ndodhej në afërsi me zotërimet e pjesëmarrësve kryesorë të Kuvendit, dhe, duke qenë Lezha nën zotërimin venecian, mënjanoheshin mosmarrëveshjet e pakënaqësitë që mund të lindnin ndërmjet sundimtarëve shqiptarë për vendin ku duhej të mbahej Kuvendi” – kanë arsyetuar nga Muzeu Historik.

Sipas Muzeut Historik Kombëtar, Lidhja e Lezhës u bë i pari bashkim politik në shkallë mbarë shqiptare që njihet në historinë e Shqipërisë.