Ekspozita "Distanca". Foto: Antigonë Isufi/ BIRN

Distanca që afroi artistin nga Bujanoci me Prishtinën

Rreth 80 kilometra ndërmjet Prishtinës dhe Bujanocit ishin motivimi që Nagip Tashi ta emëronte ekspozitën e tij të mozaikëve të gdhendur në dru, “Distanca”.

Duke pasur inspirim nënën e tij Sevdijen dhe nënën e tij Kosovën, artisti i cili me profesion është zdrukthtar në Tërrnoc të Bujanocit, Nagip Tashi, ka arritur të thyej kufirin me artin e tij me mozaiqe nga ahu, frashëri e bungu.

Përderisa në krah ka pasur nënën tij që e ka rritur e vetme, e kilometra aq sa afër aq edhe larg atdheun e tij Kosovën, zdrukthtari çmallet duke punuar në dru personalitete që kanë lënë nam në histori.

“Ka edhe diçka që ju nuk e shihni në mozaike. Nuk e di a është mirë me nda, por unë po e ndaj. Te secila figurë që sonte po e shihni, unë e shoh edhe nënën time…” e nis me lot dhe e mbaron me lot fjalinë e tij, Nagip Tashi gjatë hapjes së ekspozitës së parë në Prishtinë.

Në intervistën për BIRN, Tashi ka rrëfyer për dashurinë ndaj drurit që e ka bërë zdrukthtar, pasionin ndaj artit që e ka bërë artdashës dhe lidhjen mes drurit dhe artit që e kanë shndërruar në artist të rrallë.

Artisti Nagip Tashi. Foto: Antigonë Isufi/BIRN

Në të njëjtin vend ku e ka punëtorinë prej drugdhendësi ka dhe galerinë prej artisti. Por, deri në ekspozitën e tij në fund të nëntorit në Prishtinë, puna e tij kishte mbetur e mbyllur brenda punëtorisë së zdrukthëtarisë dhe e hapur vetëm kundrejt botës virtuale.

Mozaikët e punuar për ekspozitën “Distanca” përfshinë figura nga arti dhe politika: Bekim Fehmiu, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, Ibrahim Rugova, Ukshin Hoti, Adem Demaçi, Adem Mikullovci, Arbën Xhaferi, Hadi Shehu, Leze Qena, Muharrem Kadriu, Llukman Halili, Abdurrahman Shala, Ridvan Qazimi- Vaja, Ibrahim Kodra dhe Barack Obama.

Rolin kryesor në punën me mozaike e ka luajtur nëna e tij e cila që nga fëmijëria ka qenë audienca e vetme. E vënë në pozitën e një kritikeje të artit e cila ka arritur të shtyjë të birin e t’ia kthej pasionin në profesion.

“Kur e kam punuar figurën e Bekim Fehmiut, nanën time e kam pas si provë. Mbas punës dy mujore, e kam larguar diku 20 metra edhe më ka interesuar mendimi i saj prej syrit të njerëzve naiv, jo i skulptorëve e piktorëve”, rrëfeu ai për BIRN.

“Kam dashtë me pa reagimin e masës së madhe në sytë e nanës time. Kur e ka kthyer kokën ma ka ba: Djali jem ti paske maru njeri! Atëherë e pashë që unë kam bërë diçka të mirë”, shkëputi Tashi një moment të rëndësishëm nga jeta e tij.

Duke paguar ‘borxh’ ndaj atdheut të tij të vërtetë

Dashurinë që e ka ndaj artit dhe atdheut, Nagip Tashi mundohet ta plotësoj duke ndjekur rregullisht aktivitetet kulturore në Kosovë. Punimin e figurave të rëndësishme në historinë e Kosovës, aq sa e ka pasion e konsideron edhe borxh ndaj atdheut.

Për të 30 euro për të ardhur e për të ndjekur shfaqje në teatrot e Kosovës, janë pak. Nderimi që e ndjen ndaj figurave artistike kombëtare e ka shtyrë të punoj që nga figura e Bekim Fehmiut e deri tek Adem Mikullovci.

“Kur jam ardhë me kqyrë dramën e Bajrush Mjakut në Teatër të Gjilanit, kam paguar 20 euro që të hyjë prej Bujanocit në Kosovë. Mbasi e paguajta ato 20 euro [për sigurimin e makinës], 10 euro benzinë veturës, 2 euro bileta, tri ia dhashë, mu bënë 32 euro”, tha ai.

Ekspozita “Distanca”. Foto: Antigonë Isufi/ BIRN

Tushi beson që të qenurit i pasionuar ndaj teatrit ka qenë stimul edhe për punën në dru. Secilin nga mozaiket që ai punon në strukturë, janë frymëzim nga fasada e brendshme e Teatrit Kombëtar të Kosovës.

“Unë e kam Vranjën ma afër, por nuk kam punuar figura të Vranjës. Gjithmonë kur je larg të mungon, sheh diçka ndryshe, e ndjen ma ndryshe vendin tënd”, shprehet ai.

Për shkak të distancës dhe arsye tjera, ekspozitën me 15 figurat emblematike e ka titulluar me po të njëjtin emër. Përveç distancës fizike, simbolikën e titullit e ka vendosur edhe tek distanca që duhet ta mbaj audienca për ta lexuar qartë mozaikun.

Përtej drurit për punë 

Një dru Ah, për Nagipin, nuk është vetëm një trup. Përtej trupit të drurit, fshihet koha dhe një jetë e tërë, thotë ai.

Artin e as profesionin me dru nuk e ka traditë familjare, por gjithçka ka lindur si dhunti të cilin ka punuar ta kthej në profesion. Por, profesion të cilin nuk mendon të ia lë pas fëmijëve të tij.

“Kur ia kam nis këtij zanati e kam parë se ma shumë e dua drurin se dritaren. Dashuria ndaj artit më ka shti me punu në dru”, tha ai.

Ekspozita “Distanca”. Foto: Antigonë Isufi/ BIRN

Për ta punuar një mozaik në dru nuk varet nga koha por nga emocioni që ai ndjen. Ka punime që i kanë zgjatur pesë ditë, por ka tjera në të cilat ka punuar tre muaj. Edhe pse e dinë që druri është material i egër për vizatim, zdrukthëtari e ka sfiduar veten me këtë art duke i njohur veçantitë dhe simbolikat që përmban druri.

“Druri edhe pse prehet, jeton 100 vjet. Kam dashtë me jetu gjatë edhe figurat, ashtu si druri”, tha ai.

Kur artisti e ka punuar figurën e aktores Leze Qena, të vetmes grua në këtë mes, e ka kuptuar se sa kohë i ka falë dhe duhet t’i falë figurave të shquara. Pasi e ka punuar këtë mozaik, punimi iu kishte dëmtuar për shkak se i kishte depërtuar uji. Por për ta rikthyer në formën e mëparshme ka punuar pothuajse një vit.

“Më nuk kisha koncentrim, vullnet, emocion për me kry. Për një moment thashë mundem me e kthy në formën e mëparshme, por kohën në të cilën e kam punuar nuk mundem me kthy”, tha Tashi.

“Koha ka shumë rëndësi. Kohën mos ia fal askujt. Atë kohë që nuk falet unë ua kam fal këtyre figurave”.

Ky artikull fillimisht është publikuar në Prishtina Insight.