Glauk Konjufca dhe Oliver Varhelyi. Foto: Facebook/ Glauk Konjufca

Konjufca takon komisionerin e BE-së për zgjerim Oliver Varhelyi

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca ka takuar sot në Budapest komisionerin e Bashkimit Evropian për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi.

Përmes një postimi në Facebook, Konjufca ka bërë të ditur se me komisionerin Varhelyi është takuar gjatë takimit të 10-të të Kryetarëve të Parlamenteve të vendeve të Evropës Juglindore për Zgjerimin.

“Zyrtarit të lartë të BE-së i rikonfirmova se perspektiva e integrimit evropian mbetet një objektiv i fortë strategjik i Kosovës. Por, nga ana tjetër, shpreha shqetësimin që qytetarëve të Kosovës vazhdon t’u mohohet e drejta për të lëvizur lirshëm në Zonën Shengen”, ka shkruar Konjufca.

Postimi i plotë i kryeparlamentarit Konjufca:

Në kuadër të Takimit të 10-të të Kryetarëve të Parlamenteve të vendeve të Evropës Juglindore për Zgjerimin, sot në Budapest zhvillova një takim me Komisionerin e Bashkimit Evropian për Fqinjësi dhe Zgjerim, z. Oliver Varhelyi.

Zyrtarit të lartë të BE-së i rikonfirmova se perspektiva e integrimit evropian mbetet një objektiv i fortë strategjik i Kosovës. Por, nga ana tjetër, shpreha shqetësimin që qytetarëve të Kosovës vazhdon t’u mohohet e drejta për të lëvizur lirshëm në Zonën Shengen.

BE-ja duhet të tejkalojë dallimet brenda vetes dhe të marrë vendimin e duhur, duke hequr sa më parë vizat për qytetarët tanë.