S’ka Normalitet në Asamblenë e Prishtinës, Ndërpritet Seanca

Seanca e sotme e asamblesë komunale të Prishtinës është ndërprerë për shkak se përfaqësuesit opozitarë nga LDK e PDK nuk u pajtuan me disa nga 16 pikat e vendosura në rendin e ditës.

Asamblistët opozitar kundërshtuan tri pika që kishin të bënin me planet rregulluese të lagjeve të kryeqytetit me arsyetimin se duhet te merret një interpretim ligjor nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH).

Propozim-vendimi për miratimin – lënie në dispozicion për diskutim publik të Propozim-planit rregullues të hollësishëm të lagjes “Mati 2”; Propozim-vendimi për miratimin e plotësimit dhe ndryshimit të Planit rregullues të lagjes “Sofalia”; Propozim-vendimi për miratimin – lënie në dispozicion për diskutim publik të Propozim-planit rregullues të hollësishëm të lagjes “Kodra e Trimave 1”, ishin tri pikat të cilat u kundërshtuan nga asamblistët opozitar.

Kryesuesi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Sami Hamiti, tha se kjo seancë nuk mund të mbahet derisa kryetari i komunës, Shpend Ahmeti, nuk e ka bërë ende raportimin vjetor para asamblesë.

“Kryetari i Komunës është dashur të raportojë para kuvendit të komunës sipas ligjit deri më 31.03.2016 por ai nuk e ka bërë dhe se kjo seancë nuk mund të vazhdojë nëse nuk bëhet së pari raportimi i kryetarit”, tha Hamiti.

Shpend Ahmeti tha se nuk e di arsyen se pse po bëhet bllokimi i këtyre pikave të rendit të ditës dhe planit rregullativ qe një kohë të gjatë, mirëpo ai i ka lutur shefat e grupeve parlamentarë që t’i votojnë këto pika për, siç tha ai, interesin e qytetarëve.

“Unë po insistoj që këto pika të kalojnë të paktën për interesin e qytetarëve. E sa i përket raportimit unë raportin financiar e kam dërguar në Komitetin për Financa. Dhe në secilin raportim jam i gatshëm të vij këtu, por edhe ju duhet të diskutoni për planin rregullativ”, tha Ahmeti.

Asamblistët e LDK-së dhe PDK-së kërkuan që kryetari i komunës ta sjellë në kuvend interpretimin nga MMPH-ja se ky plan rregullativ është i ligjshëm për këto tri pika deri në mbledhjen e radhës së kuvendit që pritet të mbahet me 8 prill 2016.

Në të kundërtën opozitarët e Prishtinës thanë se nuk do të marrin pjesë në asamble.

Sot për herë të parë është lëshuar në përdorin votimi elektronik në kuvend komunal.