Ndërtesa e Qeverisë së Kosovës - Foto: KALLXO.com

Sindikatat e sektorit publik të Kosovës kundërshtojnë ligjin e ri të pagave

Sindikatat në Kosovë kanë shprehur pakënaqësi për mënyrën sesi ligji i ri për nivelimin e pagave ka klasifikuar pagesën e shumë kategorive të ndryshme në sektorin publik.

Në mes të një debati të vazhdueshëm në Kosovë mbi pagën e kryeministrit, të cilën Ramush Haradinaj e ka dyfishuar, qeveria po has pakënaqësinë e sindikatave lidhur me një Ligj të ri për Nivelimin e Pagave.

Sindikatat e nëpunësve civilë tashmë kanë thënë se nuk e pranojnë draftin. Blerim Syla, kreu i Federatave të Sindikatave të Shëndetësisë të Kosovës, tha për BIRN se ata paraqitën kërkesat e tyre të premten dhe gjatë kësaj jave dhe kundërshtuan propozimet që do të diskutohen në qeveri.

“Kjo tabelë ekzistuese është e papranueshme,” tha ai. “Është e pajustifikueshme që një mjek specialist të ketë koeficient më të ulët sesa një shofer në ndonjë institucion – apo më të ulët sesa një kryetar komune që mund të ketë studiuar më pak,” shpjegoi ai.

“Ne kemi dërguar rekomandimet tona me propozime konkrete që kanë të bëjnë me rëndësinë e profesionit,” tha ai.

Sindikatat e sektorit publik ndërkohë i kanë thënë qeverisë së Kosovës se do të hyjnë në grevë nëse kërkesat e tyre për paga më të larta nuk përmbushen.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës vendosi më 11 qershor se vendimi i kryeministrit Haradinaj për të rritur pagat e anëtarëve të kabinetit, gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe për dyfishimin e vetë pagës së tij nuk e shkelte ligjin.

Ymer Ymeri, nënkryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, SBASHK, tha për BIRN se ata gjithashtu kishin paraqitur kërkesat e tyre për paga tek Ministri i Administratës Publike, Mahir Yagcilar, i cili është përgjegjës për hartimin e ligjit. “Ne e kemi parë draftin dhe kemi vërejtje,” tha ai për BIRN.

“Ne kemi kundërshtuar sidomos tabelën ku punonjësit e arsimit kategorizohen përkrah infermierëve,” tha Ymeri.

Ymeri tha se SBASHK dëshironte që punonjësit të klasifikoheshin për pagat sipas nivelit të tyre të studimeve dhe institucioneve ku ata punonin.

Asllan Rusinovci, nga Unioni i Stafit Gjyqësor, tha se nuk e kishte parë ende projektligjin, por dëshironte që ligji të vazhdonte sa më shpejt që të ishte e mundur.

“Punonjësit duhet të kategorizohen në bazë të arsimimit dhe kualifikimeve të tjera, por duhet ende ta shoh draftin dhe të komentoj për të,” tha Rusinovci për BIRN.

Duke njoftuar se Ligji për Nivelimin e Pagave do të diskutohej në qeveri javën e ardhshme, Haradinaj tha se paga e tij e re më e lartë ndoshta do të binte pasi të hyjë në fuqi ligji i ri.

“Nivelimi nënkupton nivelimin e pagave të të gjithëve, përfshirë edhe veten time,” tha Haradinaj të martën në media.