Konferenca e Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat | Foto: KALLXO.com

Sindikata e Punëtorëve të Sektorit Privat kërkon që qeveria t’i jap 50 euro shtesë punëtorëve

Federata sindikale e Punëtorëve Teknik të Sektorit Privat të Kosovës ka paralajmëruar grevë në rast se Qeveria e Kosovës nuk e heq kushtëzimin për subvencionim të 50% të rritjes së pagës, pjesë e pakos së fundit mbështetëse.

Sindikata po kërkon që pavarësisht se a i rrisin pagat punëdhënësit, qeveria të subvencionojë pagat e sektorit privat për 50 euro.

Këtë e bënë të ditur sot në një konferencë për media.

“Një kërkesë që është e pashmangshme, një kërkesë që nuk guxon të humbë kohë është ajo që qeveria e Kosovës duhet ta heqë kushtëzimin lidhur me kompanitë private. Që nëse kompanitë private i japin 50 euro do t’i japë edhe unë 50 euro.” – tha kryetari i kësaj federate, Jusuf Azemi.

Ai shtoi se nuk duan grevë, por janë të detyruar, pasi që edhe kanë presion nga punëtorët.

Ata i apeluan qeverisë që t’i subvencionojë me nga 50 euro, pavarësisht nëse punëdhënësit ua rrisin pagat punëtorëve apo jo.

Përveç kësaj, ata kërkuan edhe rritje të pagës minimale duke thënë se ky është premtim i kahmotshëm i kryeministrit.

Azemi e quajti këtë pako nënçmuese për ta, pasi që sipas tij pjesa dërrmuese e kompanive private nuk kanë mundësi të rrisin pagat.

Në këtë konferencë morën pjesë edhe përfaqësuesit e punëtorëve teknik e të sigurimit fizik të UP-së, të QKUK-së e të tjerë, të cilët thanë se ndihen të anashkaluar, në raport me sektorin publik.