(Arkiv) Parlamenti i Shqiperise FOTO: REL

Parlamenti në Shqipëri voton për rritjen e pagave për deputetë dhe ministra

Parlamenti në Shqipëri votoi të enjten projektligjin që rrit pagat për pozitën e presidentit, kryeministrit, ministrave, deputetëve dhe punonjësve të administratës publike.

Deputetët e majtë dhe të djathtë i bashkuan votat për pagat e tyre, dhe ligji mori 95 vota pro, dhe vetëm tre kundër.

Paketa prej tre ligjesh, që u miratua në Parlament, parashikon rritje të kompetencave të Këshillit të Ministrave, në caktimin e pagave në sektorin publik, rritje të pagave për gjyqtarët dhe prokurorët, dhe skemën e re të rritjes së pagave për administratën publike, duke respektuar atë që njihet si hierarkia e pagave, ku më të lartën e ka presidenti.

“Nivelet e pagave nuk përcaktohen sipas qejfit. Por, sipas një ekspertize të caktuar. Ka një piramidë pagash. Nuk mund të paguhet presidenti i republikës më pak se një mësues, dhe nuk mund të kemi prokurorë që paguhen më shumë se presidenti”, tha Rama, i cili bëri të qartë se nuk do të votonte pikën që parashikon rritjen e pagave për deputetët.

Në fakt, rritja e pagave për deputetët nuk ishte parashikuar në draftin e përgatitur nga Qeveria e Shqipërisë, por u bë me pjesë e tij me kërkesë të deputetëve të dy krahëve politikë, gjatë diskutimeve në Komisionin parlamentar të Ekonomisë.

Kundër rritjes së pagave për deputetët u shpreh dhe ish-kryeministri Sali Berisha.

Ai tha se është një “akt i turpshëm” dyfishimi i rrogave për zyrtarët e lartë, dhe se skema e Qeverisë nuk i rriste pagat në sektorin publik, nëse merret parasysh niveli i inflacionit.

Sa i përket rritjen së pagave në tërësi në sektorin publik, kryeministri Rama tha se me këtë vendim i hapet rrugë një procesi që prillin e ardhshëm e çon në 900 euro pagën mesatare.

“Sipas të gjitha gjasave, me këtë parashikim, ne ngjitemi në nivelin më të lartë të rajonit”, tha Rama.

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, tha se PD-ja, do ta miratojë rritjen e pagave, edhe pse është vendim i vonuar.

“Sot është dita që ne të ngremë zërin edhe për pensionistë, që si gjithmonë mbeten të fundit. Neve na drejton një Qeveri e korruptuar, që paguan vetëm për të blerë votat”, tha Bardhi.

Ministrja e Ekonomisë dhe Financave, Delina Ibrahimaj, tha se efekti financiar i reformës së pagave do të jetë 39 miliardë lekë, dhe se prej vendimit përfitojnë 130.330 punonjës.

Sipas ligjit, që kaloi në Parlament, paga e deputetëve do të dyfishohet nga 156.770 lekë që është aktualisht, në 310.250 lekë (2.820 euro), ndërsa e ministrave nga 174.760 lekë në 318.750 lekë bruto (2.897 Euro).

Kryeministrit dhe kryetarit të Parlamentit, paga u rritet në thuajse 400.000 lekë (3.636 Euro) nga 228.000 lekë, që është sot.

Paga e presidentit shkon në 425 mijë lekë (3.863 Euro) nga 257 mijë lekë që është aktualisht.

Edhe pse ligji hyn në fuqi në qershor, përfituesit do të marrin shtesën e pagës duke filluar nga muaji prill.

Ndërsa në Parlament debatohej për rritjen e pagave, jashtë ndërtesës aktivistë të Lëvizjes “Bashkë” mbajtën një protestë.

Të rinjtë protestues hodhën para false ndaj deputetëve që hynin në Parlament, dhe mbanin në duar pankarta ku shkruhej, “Mos u ngopshi” dhe “Hajdutë”.

Drejtuesit e kësaj lëvizjeje, e cilësuan “të neveritshëm” vendimin për rritjen e pagave për zyrtarët e lartë në Shqipëri, në kushtet kur pensioni minimal mbetet 8.000 lekë (72 euro) dhe ai mesatar 15.000 lekë (136 euro).

Shqipëria nuk ka të përcaktuar as minimumin jetik./REL