Punëtorët e KEK-ut mbajnë grevë për rritje të pagave

Mëngjesin e sotëm nga ora 07:00-08:00, punonjësit e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) mbajtën grevë njëorëshe me kërkesën për rritje të pagave.

Kjo grevë u mbajt në vendet e punës dhe para dyerve (rampave) hyrje-daljeve të termocentraleve.

Nexhat Llumnica, kryetari i Sindikatës së KEK-ut në një deklarim për KALLXO.com bëri të ditur se punëtorët punojnë me industri të rëndë dhe rrezik të lartë, andaj kërkojnë rritje pagash.

Sipas tij, gjatë grevës është ndalur puna në sektore që nuk pengojnë furnizimin me energji elektrike.

“Ne kemi bërë kërkesë për ngritje të pagave që prej prillit të vitit të kaluar dhe asnjëheërë nuk kemi marr përgjigje pozitive.Punëtorët e KEK-ut nuk punojnë nëpër zyra, ata kanë industri të rëndë dhe kanë rrezikshmëri të jashtëzakonshme. Aktualisht KEK ka prodhim dhe performancë të mitë dhe kjo na biond që duhet të ketë edhe rritje pagash” – është shprehur ai.

“Prodhimi i energjisëë elektrike nuk është ndal, përpos prodhimit të qymyrit, djerrinës dhe pajisje të tjera, pra  jo aty ku pengon prodhimin e energjisë elektike” – shtoi tutje ai.

Nexhat Llumnica tutje theksoi se sipas komunikimeve që kanë pasur me bordin e KEK-ut, po pritet që të marrin raportin e pasqyrave financiare në fund të këtij muaji për të parë mundësitë për rritje pagash.

“Kemi pas bisedime me KEK-un dhe na është premtuar që pasi të marrin raportin e  pasqyrave financiare në fund të muajit prill, do shikohet se çfarë janë mundësitë” – shtoi Llumnica.

Ai tutje potencoi se në rast se nuk ka ngeritje pagash nga KEK, do të vazhdojnë me grevë edhe më rigoroze.

Sindikata e Re e Korporatës Energjetike e Kosovës më 16 mars ka mbajtur po ashtu protestë përmes të cilës është kërkuar rritje e pagave për punëtorët.

Sindikata e Re e KEK-ut në protestë, kërkojnë rritje e pagave për të gjithë punëtorët