Sindikata Mbron Policët pas Incidentit të Deçanit

Sindikata e Policisë së Kosovës u ka bërë thirrje qytetarëve të vendit që të respektojnë zyrtarët e Policisë dhe t’u binden urdhrave të tyre të ligjshme, sepse ata janë të autorizuar të zbatojnë ligjin.

Thirrja vjen pas incidentit të së hënës në Deçan, ku nga një pjesëtar i Policisë të Kosovës u vra një qytetar.

Sipas komunikatës së Sindikatës, polici ka shtënë “me qëllim të parandalimit të sulmit ndaj tij”.

Sindikata thekson se Policia është e autorizuar të zbatojë ligjin, të mbrojë institucionet, qytetarët, pasurinë e tyre por edhe vetveten.

“Këto autorizime zyrtarëve policorë ua garantojnë ligjet e Republikës së Kosovës, Ligji i Policisë, andaj, pa pasur qëllim ndërhyrjen në sistemin e drejtësisë, konform legjislacionit në fuqi u bëjmë thirrje organeve kompetente të drejtësisë të rishqyrtojnë “domosdoshmërinë” e masës së paraburgimit. Theksojmë se sulmet mbi pjesëtarët e Policisë së Kosovës nuk mund të definohen ndryshe përpos akte të dhunshme ndaj Policisë, të cilat janë të dënueshme dhe të sanksionuara me ligj”,thuhet në komunikatë.