Ilustrim

Sindikata e Shërbyesve Civilë paralajmëron grevë edhe për nesër

Sindikata e shërbyesve civilë të Kosovës ka paralajmëruar grevë edhe nesër.

Sipas Sindikatës, greva do të mbahet mes orës 10:00 dhe 11:00.

Greva ka të bëjë me pakënaqësitë për koeficientin e pagave të paraparë në Projektligjin për Paga.

Përmes një komunikate, Sindikata ka bërë të ditur se nga mbledhja e jashtëzakonshme e dy kryesive qendrore të sindikatave të shërbimit civil, kanë kërkuar që në Projektligjin për Pagat t’i lejohet Komunës së Prishtinës një buxhet i veçantë për shërbyesit civilë.

“Përveç dy kërkesave substanciale të cilat janë edhe kusht për pezullimin e grevës, kërkojmë nga autoritetet qeveritare, përmirësimin e padrejtësive që kësaj kategorie të shërbyesve civil iu është bërë e padrejtë siç janë: mostrajtimi i barabartë me rastin e shpërblimet të pagës jubilare, mostrajtimi i barabartë me rastin e pensionimit, pagesa e rrezikshmërisë dhe kujdestarisë për sektorë të veçantë”, thuhet në njoftimin e SSHCK-së.