Fatmir Limaj në seancën e sotme | Foto: KALLXO.com
Refuzohet Kërkesa që Simmons të Jetë Dëshmitar në Rastin Limaj
Pasi sot në gazetën franceze “Le Monde” u botua një artikull nga intervista e ish-kreut të gjyqtarëve të EULEX-it Malcolm Simmons, Fatmir Limaj, i akuzuari për krim të organizuar dhe shpërdorim detyre propozoi që Simmons të jetë dëshmitar në gjykimin kundër tij.
Kryetarja e trupit gjykues Maria Tuuma kërkoi të dijë se çfarë konkretisht pret mbrojtja e Limajt nga Simmons nëse kërkesa ër dëshminë e tij pranohet.
Avokati i Limajt, Tahir Rrecaj, tha se arsyeja pse dëshirojmë që të ftojmë këtë dëshmitar është për të vërtetuar faktin që ne e kemi pretenduar që nga fillimi i këtij procesi qe procesi hetimor gjyqësor kundër Limajt është i motivuar politikisht
“Kjo u vërtetua sot me këtë prononcim publik nga kryetari i asamblesë të gjyqtarëve të EULEX, zotit Malcolm Simons”, shtoi Rrecaj, duke aluduar në artikullin e publikuar në “Le Monde”.
Prokurori Charles Hardaway tha se do ta respektojë vendimin e gjykatës në lidhje me propozimin që Malcolm Simmons të jetë dëshmitar.
Pas konsultimit prej 15 minutash trupi gjykues vendosi ta refuzojë kërkesën e mbrojtjes për dëshminë e Simmons-it ë procesin kundër Limajt dhe të tjerëve.
Sot KALLXO.com shkroi për artikullin në Gazetën “Le Monde”, sipas të cilit Simmons e cilësoi EULEX-in mision politik.
EULEX-i reagoi pas këtij artikulli, duke treguar se vetë Simmons është duke u hetuar.