Naim Maloku jep dëshmi në rastin kundër Fatmir Limajt - Foto: KALLXO.com

Naim Maloku: Më 1998 Kam Thënë se Vrasja në Bellanicë Do të Zbardhet

Në gjykimin e Fatmir Limajt për krime lufte që është duke u mbajtur në Gjykatën Themelore në Gjakovë ka dëshmuar edhe Naim Maloku, ish-epror i UÇK-së.

Gjatë dëshmisë së tij, Naim Maloku që kishte qenë i angazhuar në drejtorinë operative të Shtabit të Përgjithshëm tha se për vdekjen e këtyre 2 civilëve, Ramiz Hoxhës dhe Selman Binishit, ka marrë vesh pas takimit me popullatën.

“Unë pas plagosjes që kam pasë në Junik angazhohem në drejtorin operative të Shtabit të Përgjithshëm, rangu i tretë nga lart. Në mes 25 dhe 31 dhjetor të vitit 1998 në fshatin Bellanicë, gjatë kësaj kohe u bë rikonstruimi i shtabit, zonave operative dhe brigadave brenda zonave operative dhe komandant i brigadës 121 dhe komandant i brigadës Shaban Dragaj kanë mbajtur një takim me popullatën dhe për shkak të autoritetit që kam gëzuar sepse jam nip i asaj ane unë jam lutur që t’i shoqërojë në atë takim, dhe unë në këtë takim me popullatën e kam kuptuar për vrasjen e këtyre dy civilëve në Bellanicë”, tha Naim Maloku gjatë dëshmisë së tij.

Ai ka treguar se ky takim është mbajtur në sallën sportive të shkollës në fshatin Bellanicë.

Ai thotë se në atë takim janë shprehur dyshime se kjo vrasje është kryer nga UÇK-ja.

“Në takim kemi parë se popullata civile ka shprehur dyshime se vrasja është kryer nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Unë u kam thanë një përgjigje standarde se kush nga ne të pranishmit a do të mbetet gjallë nuk e di por një gjë mbane mend Kosova ka me u çliru dhe krejt gjanat kanë me u zbardh. Pra, unë nuk kam pasur përgjigje tjetër në atë rast”, ka thënë Maloku në dëshminë e tij.

I pyetur se a ka biseduar me eprorin e tij për këtë takim në Bellanicë, Maloku thotë se në atë takim ka qenë në cilësinë e mysafirit.

“Unë nga momenti kur jam intervistuar nga ju, jam munduar që ta rikujtoj periudhën e ndodhur 20 vite më parë por ndoshta unë kam mundur të bisedoj me eprorin tim por e gjitha kjo është supozim sepse unë në takim me popullatën civile kam qenë veç mysafir. Eprori im ka qenë Sali Veseli”, është përgjigjur Maloku në pyetjen e Prokurorisë.

Maloku në dëshminë e tij dhënë para trupit gjykues tregon kur është takuar më të dëmtuarin Fadil Hoxha pas luftës “Unë i kam thënë tani është liruar Kosova, Kosova ende nuk ka Gjykatë, është UNMIK-u, merre një avokat dhe paraqite rastin”, ka thënë tutje në dëshminë e tij Maloku.

Në gjykim e sotëm ndaj Fatmir Limajt ka dëshmuar edhe ish komandanti i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Azem Syla.