Sokol Dobruna duke dëshmuar në gjykimin e Fatmir Limajt - Foto: KALLXO.com
Dobruna: S’kam Dëgjuar për Vrasjen e Dy Civilëve në Bellanicë, Kam Qenë në Dukagjin
Në gjykimin për krime lufte që po mbahet ndaj Fatmir Limajt ka dëshmuar edhe Sokol Dobruna, ish-kryetar i Gjykatës Ushtarake të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ai thotë se për vrasjen e dy civilëve në Bellanicë të Malishevës nuk ka dëgjuar sepse ka qenë i angazhuar në një rajon krejt tjetër në atë kohë.
“Më 7 shtator 1998 nga prapavija luftarake kam kaluar në Zonën Operative të Dukagjinit në kuadër të UÇK-së dhe aty kam qëndruar më vonë në cilësinë e ndihmëskomandantit deri më 16 dhjetor 1998 dhe kur Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së më ka emëruar udhëheqës të shërbimit juridik të Shtabit të Përgjithshëm. Unë për vrasjen e dy civilëve në Bellanicë të Malishevës nuk kam dëgjuar sepse në atë kohë kam qenë i angazhuar në Zonën Operative të Dukagjinit”, tha Sokol Dobruna në cilësinë e dëshmitarit sot në gjykimin ndaj Fatmir Limajt që po mbahet në Gjykatën Themelore të Gjakovës.
Në këtë gjykim dhanë dëshmitë edhe Azem Syla, ish-komandant i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së si dhe Naim Maloku.
Syla gjatë dëshmisë së tij ka deklaruar se nuk e mban mend kur është themeluar Drejtoria e Policisë Ushtarake, sepse siç ka thënë ai, shumicën e kohës ka qëndruar jashtë Kosovës.
http://kallxo.com/azem-syla-ne-gjykim-e-fatmir-limajt-se-di-kush-ka-qene-drejtor-policise-ushtarake/
Aktakuza e ngarkon të pandehurin Fatmir Limaj se si pjesëtar i UÇK-së dhe komandant i Brigadës 121, nuk ka ndërmarrë masa të arsyeshme dhe të nevojshme brenda kompetencave të tij për ta parandaluar apo për të ndalur vrasjen e Ramiz Hoxhës dhe Selman Binishit.
Sipas Prokurorisë Speciale Ramiz Hoxha nga fshati Bellanicë dhe Selman Binishi nga fshati Banjë, komuna e Malishevës, më 2 tetor 1998 janë marrë në afërsi të xhamisë së fshatit Bellanicë dhe janë ekzekutuar në hyrje të fshatit Kravasari.
Prokuroria në aktakuzë pretendon se Fatmir Limaj i ka parë kufomat e viktimave dhe e ka ditur për krimin e kryer, mirëpo me vetëdije nuk ka ndërmarr masa drejt zbulimit të kryesve të këtij krimi dhe rastin asnjëherë nuk e ka paraqitur te organet kompetente për hetim dhe ndjekje.
Emisioni “Drejtësia në Kosovë” në nëntor të vitit të kaluar shfaqi hulumtimin në dy vazhdime në të cilin familjarë të viktimave që u morën në Bellanicë në vitin 1998 treguan se si ndodhi ky rast.
KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi nga gjykimi i Fatmir Limajt në rastin “Bellanica”. Raportet mund t’i gjeni në këtë link.