Kreu i Listës Serbe, Slavko Simiq | Foto: Facebook

Simiq: Çështja e ‘Trepçës’ të Zgjidhet me Dialog

Sllavko Simiq, shefi i grupit parlamentar të Listës Serbe tha se Projektligji për “Trepçën” do të rrezikojë ekzistencën e shumicës së serbëve.

Simiq deklaroi se ka përgjegjësi dhe detyrim të flasë në emër të 3 mijë punëtorëve të “Trepçës”, në emër të komunitetit serb në Kosovë dhe në emër të Listës Serbe.

Ai deklaroi se për Listën Serbe, projektligji kështu si erdhi për shqyrtim e votim me procedurë të shpejtë është i papranueshëm.

Ai deklaroi se zgjidhjen për këtë kompleks industrial duhet kërkuar në konsultim me menaxhmentin e “Trepçës”, me pushtetet lokale ku shtrihen shumica e mineraleve të saj dhe me përfaqësues të Listës Serbe në Kuvend e qeveri.

Vetëm kështu sipas Simiqit do të gjendet zgjidhje e qëndrueshme për “Trepçën”.

“Insistojmë që çështja e Trepçës të zgjidhet me dialog,” tha Simiq, duke kërkuar që deputetët të votojnë për heqje të projektligjit nga rendi i ditës.

Pasi ky propozim i Listës Serbe u hodh në votim në fillim të seancës, kryeparlamentari Kadri Veseli ia shpjegoi Simiqit se nuk do ta nxjerrë për së dyti në votim të njëjtin propozim.