Shtyhet shqyrtimi i projekt-statutit të Trepçës

Anëtarët e Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal nga pozita dhe opozita janë dakorduar që shqyrtimi i projekt- statutit të Trepçës të shtyhet për miratim në një mbledhje tjetër të Komisionit.

Kjo për shkak se deputetët nuk ishin të pajtimit që ata të ndërhyjnë në statut por që një dokument i tillë të vijë në Komision nga Bordi i Trepçës.

Anëtari i Komisionit nga Lëvizja Vetëvendosje, Liburn Aliu tha se është rrugë e gabuar nëse anëtarët e Komisionit do të ndërhyjnë në hartimin e statutit të Trepçës. Sipas tij më e rrugës do të ishte nëse statuti do të hartohej nga Bordi i Trepçës dhe më pas të sillej në Komisioni, i cili më pas do ta procedonte për në Kuvend.

“Statuti është i njëjti për nga përmbajtja, siç ka qenë vetëm se e ka të bashkëngjitur një dokument, marrëveshje mes Bordit dhe Qeverisë. Rruga ma e shpejtë, Bordi me Qeveri t’i inkorporojë këto vërejtje në statut e mos t’ia lërë Kuvendit se mund të bëjmë gabime. Bordi duhet ta sjellë një statut dhe ne e miratojmë. Nëse ne i shtijmë dorë në statut, grup i gjerë heterogjen me grupe të ndryshme partiake dhe nuk garantohet që në fund do të votohet. Ne nuk i dijmë asetet e Trepçës. Pse këtë punë po na leni neve, është rrugë e gabuar, më e gjatë”, tha Aliu.

Edhe anëtarja e Komisionit nga LDK, Hykmete Bajrami ishte e të njëjtit mendim me deputetin Aliu. Bajrami tha se nuk është e pajtimit që t’i fusin duart në projekt – statutin e Trepçës.

“Mendimi im personal, ne nuk kemi të drejtë të bëjmë amandamente. Nuk ka të drejtë legjitime me e votu Komisioni. Çështjet kryesore që janë ngritë në 2018, një numër i madh që janë lënë jashtë listës së aseteve. Ne po e shohim që jemi vonu me statutit. Ne nuk dëshirojmë me qenë në mes të aksionarëve. Ne jemi kundër t’i fusim duart në draft statut, një punë e tillë bëhet përmes amandamenteve”, theksoi Bajrami.

Anëtari tjetër i Komisionit nga PSD, Dardan Sejdiu, po ashtu theksoi se Bordi duhet të bëj punën e saj dhe ta hartoj projekt – statutin përderisa Komisioni do të jetë në gjendje ta procedoj për në Kuvend posa t’i sillet.

“Ky ligj siç është ka probleme. Nuk duhet me përsëritë gabimin që e kemi bërë me ligj. Bordi le të bëjë punën e vet dhe ta sjell dokumentin final dhe ne do ta procedojmë. Jam i sigurt që nëse Bordi Qeveria dhe Sindikata ulen e bëjnë punën e tyre, ne mund të kthehemi pasdite dhe ta votojmë. Kërkesa është që të na sillni një dokument, ju po thoni që keni një marrëveshje dhe ne e procedojmë”, tha ai.

Memli Krasniqi nga PDK tha se është obligim ligjor që Bordi të sjell në Komision një tekst të integruar për statutin e Trepçës.

“Ne sot kemi një konflikt mes procedurës dhe përmbajtjes, më e rëndësishme është përmbajtja se procedura por edhe procedura duhet me u respektu. Nëse është një marrëveshje është lajm shumë i mirë. Qysh me bo një statut që është i imlementueshëm dhe i jep mundësi për zhvillim Trepçës. Bordi e ka obligim ligjor me na sjellë një tekst të intagruar. Domethënë pastaj ne nuk kemi çka me vendos por vetëm e procedojmë për në Kuvend”, tha Krasniqi.

Përfaqësuesi i Bordit mbikëqyrës të Trepçës, Naser Peci tha se është e rëndësishme që projekt – statuti të procedohet dhe të miratohet në Kuvend që të hapet rruga që të vazhdohet me hapa të tjerë për rivitalizimin e Trepçës.

Në muajin tetor të vitit 2016 është miratuar projektligji për Trepçën.  Në muajin maj të vitit 2018 është sjellë projekt-statuti i Trepçës në Kuvend. Por ky projekt statut nuk është miratuar ende për shkak të pakënaqësive e Sindikatës së Trepçës në lidhje me regjistrimin e aseteve që kanë mbetur pa u regjistruar dhe çështje të tjera sociale.