Foto: Kallxo.com

Deputetët e ‘zgjasin’ pushimin e Ditës së Europës, mungojnë në Komision

Vetëm tre deputetë janë paraqitur sot në mbledhjen e Komisionit parlamentar për Zhvillim Ekonomik në të cilin ka qenë e planifikuar që t’i shqyrtojnë dy projekt-ligje dhe dy raporte të agjensioneve.

Zëvendës Kryetari i Komisionit, Dardan Sejdiu (PSD) dhe anëtaret Duda Balje (6+) dhe Hykmete Bajrami (LDK) kanë qenë të pranishëm në këtë mbledhje e cila u shty në mungesë kuorumi.

Në këtë mbledhje munguan kryetarja Sala Berisha Shala (PDK), Dardan Molliqaj (PSD), Adem Hodza (Lista Serbe), Mimoza Kusari Lila (LDK), Memli Krasniqi (PDK), Gani Dreshaj (AAK) dhe Bilall Sherifi (NISMA).

“Fatkeqësisht ndonëse i kemi dy ligje dhe dy raporte të rëndësishme dhe këtu dua të them këtu Ligjin për Konsumatorë, sot do të ishte mbledhja ku këtë ligj do ta procedonte ne Kuvend. E njëjta vlen edhe për ligjin për Miniera dhe Minerale”, tha Sejdiu.

“Por fatkeqësisht për mungesë të kuorumit sot kjo mbledhje duhet të shtyhet. Unë si zëvendëskryetar do ta dërgoj një email për kohën kur mund ta mbajmë mbledhjen për shkak se kemi të bëjmë me një ligj të rëndësishëm”.

Vendimi për shtyrjen e mbledhjes u mor pas më shumë se 20 minuta pritje që të vijnë anëtarët tjerë të Komisionit.

“Jam jashtëzakonisht i zhgënjyer”, tha Dardan Sejdiu.

Përveç dy ligjeve, ky Komision sot ka qenë e planifikuar ta shqyrtojë edhe Raportin vjetor të Autoritetit të Aviacionit Civil – AAC për vitin 2017 dhe Raportin vjetor të Autoritetit Kosovar të Konkurrencës – AKK.