Fati i termocentralit në pikëpyetje, vendosin deputetët

Ministri i Zhvillimit Ekonomi, Valdrin Lluka, ka paralajmëruar se nëse Kuvendi i Kosovës nuk e kalon garancionin shtetëror për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re”, dëmi që i shkaktohet buxhetit të Republikës së Kosovës është 19.7 milionë euro.

Këtë deklaratë Lluka e ka dhënë gjatë raportimit në Komisionin për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal duke raportuar lidhur me procesin e ndërtimit të Termocentralit “Kosova së Re”.

Lluka ka njoftuar anëtarët e Komisionit se në prill të vitit të ardhshëm pritet që ky garancion të shkojë në Kuvendin e Kosovës.

“Çfarë do të garantohet është kryesisht performanca e ndërmarrjeve publike. Në këtë rast blerja e energjisë që mund të shkojë deri në 240 milionë, furnizimi me thëngjill, furnizimi me ujë, blerja e energjisë pra janë gjitha këto që pritet që maksimun të jetë garancioni shtetëror. Maksimum 260 milionë euro që të sigurohen për këtë projekt, për secilin vit për 20 vitet e ardhshme. Nëse në Kuvend nuk kalon garancioni i sovranitetit kosto totale e buxhetit të Republikës së Kosovës është 19.7 milionë euro”, tha Lluka.

Anëtari i Komisionit nga PSD-ja, Dardan Sejdiu, ka kërkuar nga ministri që të tregojë për ecurinë e procesit për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re”, si dhe ka kërkuar të sqarojë se cilat janë dëmet nëse garancioni i sovranit nuk kalon në Kuvend.

“Kur mendoni që garancioni i sovranitetit të vijë në Kuvend? Çka do të përfshijë garancioni i sovranitetit. Cila është kosto për buxhetin e Republikës së Kosovës nëse ky garancion i sovranitetit nuk kalon? Po më intereson kosto e saktë për projektin e Bankës Botërore për energji alternative cila është kostoja”, tha Sejdiu.

Ministri Valdrin Lluka tha se me 20 dhjetor të vitit të kaluar janë nënshkruar marrëveshjet komerciale me investitorin Contour Global.

“Tash janë vazhduar disa procedura kontratat janë bërë efektive me 24 mars 2018 dhe në atë moment Contour Global e ka bërë një zgjidhje për kualifikim të kompanive të interesuara për ndërtimin e këtij projekti. Më 16 gusht ka përfunduar afati për aplikimin e ndërmarrjeve për ndërtimin e Termocentralit Kosova e Re 4 kompani janë kualifikuar nga 6 sa kanë aplikuar”, tha Lluka.

Ai tha se presin që në pjesën e parë të vitit 2019 të fillojë ndërtimi i Termocentralit ‘Kosova e Re’.

“Ne presim që deri në fund të vitit të marrim ofertat teknike dhe financiare ku do të kuptojmë saktë se sa do të kushtojë ndërtimi i Termocentralit dhe cilat janë mundësitë e financimit të saj”, shtoi ai.

Lluka ka treguar se Banka Botërore nuk ka garantuar për këtë projekt, ndërkaq Contur Global ka filluar negociata me OPIK (Korporatën e Investimeve Private Jashtë).

Glauk Konjufca, anëtar i komisionit nga Lëvizja Vetëvendosje tha se koncepti bazik që e ka sjellë qeveria është gabim.

“Kur shpërndahet kosto e e çmimit për energji elektrike do të jetë i pa përballueshëm për Kosovën. Ne kemi pasë problem me çmimin e energjisë. Vetëm me privatizimin e KEDS kemi pas edhe protesta, sepse norma e tejkaluara e çmimit të energjisë ka qenë e pajustifikueshme”, tha Konjufca duke e konsideruar kontratën të keqe edhe më të keqe se kontrata e Bechtel Enka-s.

Lluka tha se Kosova me përjashtim Serbinë ka çmimin më të ulët të energjisë në rajon.

“Nuk jemi tu shku jashtë normave”, tha Lluka.

Në këtë komision Lluka ka qenë e planifikuar të raportojë edhe për funksionalizimin e ndërmarrjes Trepça por për shkak të agjendës së tij është dashur ta lëshojë Komisionin.

Kryetarja e komisionit Sala Berisha Shala tha se në një takim tjetër kur do të raportojë ministri do ta thërrasin edhe bordin e kësaj ndërmarrje.