12 emrat e kandidatëve për Bordin e KOSTT shkojnë në Kuvend

Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal ka dërguar në Kuvend 12 emrat e kandidatëve më të poentuar për drejtorë të Bordit të KOSTT.

Për herë të parë kandidatët për anëtarë të Bordit të KOSTT janë përzgjedhur nga Komisioni për Zhvillim Ekonomik, për shkak se më herët janë përzgjedhur nga Qeveria.

Kryetarja e Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Sala Berisha – Shala ka njoftuar se për Bord të KOSTT-it kanë aplikuar 33 kandidatë, përderisa 29 prej tyre janë përzgjedhur për intervistë. Po ashtu ajo ka thënë se 6 prej kandidatëve janë tërhequr nga procesi i intervistimit.

Prej 23 kandidatëve të intervistuar për këto pozita, në Kuvendin e Kosovës janë dërguar 12 emrat më të poentuar nga paneli vlerësues që ka pasur në përbërje anëtarët e Komisionit për Zhvillim Ekonomik.

Lista me emrat e kandidatëve që shkojnë në Kuvendin e Kosovës:

1. Hekuran Murati

2. Muzafer Shala

3. Enis Berisha

4. Nagip Krasniqi

5. Migjen Kukaj

6. Nagip Skenderi

7. Shkelzen Nuza

8. Sejdi Rexhepi

9. Nebih Zariqi

10. Naim Sahiti

11. Neron Berisha

12. Habib Basholli

Anëtari i Komisionit, Dardan Sejdiu kërkoi shpjegime nëse kandidatët më të poentuar të Komisionit për Zhvillim Ekonomik dhe komisionit të partnerit të Ambasadës britanike kanë qenë të njëjtë.

Përderisa kryetarja e Komisionit, Sala Berisha – Shala tha se “edhe ata kanë thënë që hera e parë që ka pasur përputhje mes të dyja palëve”.

Deputeti Muharrem Nitaj kishte vërejtje sa i përket procesit të rekrutimit dhe konsistencës së anëtarëve të panelit vlerësues duke thënë se kohë e gjatë dhe dinamika e intervistave nuk iu kanë përshtatur disa prej anëtarëve të Komisionit duke kërkuar që herëve të tjera të ketë koordinim më të mirë.

Ky konkurs është zhvilluar me asistencën e Ambasadës së Britanisë së Madhe në Kosovë, kurse BIRN ka bërë monitorimin e këtij procesi të rekrutimit.

Gjatë fazës së intervistimit, komisionit i formuar nga Komisioni për Zhvillim Ekonomik dhe komisioni i partnerit të Ambasadës bëjnë vlerësime të ndara për secilin kandidat.

Marrëveshja e bashkëpunimit midis Ambasadës britanike, Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës parasheh mbështetjen e  institucioneve të Kosovës në proceset rekrutuese, ndërsa emrat të cilët dërgohen për votim dhe emërimet përfundimtare mbeten gjithmonë në diskrecion të Qeverisë dhe Kuvendit.