Gjykata Themelore e Prishtinës - Foto: KALLXO.com

Shtyhet Seanca në Rastin e Punëtorit të Sigurimit

Për shkak se mungoi i akuzuari dhe prokurorja e rastit nuk është zhvilluar seanca gjyqësore ndaj Islam Merlakut, i cili akuzohet për përvetësim gjatë ushtrimit të detyrës.

Sipas kryetares së trupit gjykues, ndonëse kanë qenë të ftuar në mënyrë të rregullt as i akuzuari as prokurorja nuk e kanë arsyetuar mosardhjen.

Për arsye të këtyre mungesave ajo e ndërpreu seancën dhe tjetrën e caktoi për më 5 dhjetor 2016.

Kryetarja e trupit gjykues deklaroi se do të lëshojë urdhëresë për sjellje të detyruar në gjykatë të të akuzuarit që mungoi.

Sipas aktakuzës, Islam Merlaku akuzohet nga ish-Prokuroria Komunale në Prishtinë se më 16 shkurt 2009 në parkingun e Komunës se Prishtinës për automjete të konfiskuara, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm, teksa po punonte si punëtor sigurimi ishte futur në veturën e konfiskuar, pronë e të dëmtuarit Driton Jakupaj, dhe kishte përvetësuar 600 dollarë.

Të akuzuarin, i dëmtuari e kishte gjetur duke kontrolluar brenda veturës së tij.