Gjykimi per keqperdorim te detyres zyrtare

Shtyhet seanca ndaj të akuzuarit për falsifikim

Seanca e gjykimit ndaj ish-zyrtarit të gjendjes civile në fshatin Bistricë të Komunës së Leposaviqit, Nezir Aliu ka dështuar të mbahet në Gjykatën e Mitrovicës

Kjo ka ndodhur, pasi që i akuzuari Aliu, ka thënë se nga Prokuroria në Mitrovicë, nuk është pajisur me shkresat e lëndës.

Aliu nga Prokuroria e Mitrovicës akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe falsifikim të dokumentit zyrtar.

Ndërsa i pandehuri ka deklaruar se përveç aktakuzës nuk ka pranuar shkresë tjetër.

Pas kësaj  gjykatësi i rastit Avni Mehmeti ka ndërprerë për 10 minuta seancën me qëllim që të akuzuarit në fjalë t’i dorëzohen shkresat e lëndës.

Ndërsa pas kësaj prokurorja Fetije Bajrami-Shala e cila ka deklaruar se në këtë rast po e zëvendësonte prokurorin e rastit Naim Beka, të akuzuarit Nezir Aliu ia ka dorëzuan vetëm disa nga shkresat, kurse kjo ka bërë që gjykatësi Mehmeti të marrë vendim me anë të së cilit seancën e ka shtyrë për një datë tjetër.

Seanca e radhës u caktua me 10 maj.

Kurse gjykatësi Mehmeti e ka obliguar Prokurorin e Mitrovicës, të akuzuarit Aliu, t’ia dorëzoj të gjitha shkresat që përmban lënda penale në këtë rast, para fillimit të seancës së ardhshme të shqyrtimit fillestar.

Akuza

Prokurorisë e Mitrovicës akuzon Nezir Aliu se më 13 maj 2015, në cilësinë e zyrtarit të gjendjes civile në Bistricë të Shalës, ka tejkaluar kompetencat e tij duke i sjell dobi pasurore personit tjetër.

Sipas aktakuzës Aliu duke mos bërë verifikime paraprake e në kundërshtim me udhëzimin administrativ nr25/2013 ka regjistruar personin NN, kinse Ali Sallkoviq, me shënime kinse ai është banor i fshatit Rvatska.

Kurse  nga zyrtarët e qendrës së regjistrimit në Leposaviq ishte konstatuar se nuk ekziston një banor i këtij fshati me këtë emër, e që sipas akuzës i pandehuri Nezir Aliu, nuk i ka kontrolluar librat e vjetra amzë për të vërtetuar se a janë të sakta dhe origjinale fletëkërkesat e dorëzuara nga NN personi kinse Ali Sallkoviq, me ç’rast të njëjtin e regjistron në regjistrin e lindjeve dhe njëherësh i lëshon dhe ekstraktin e lindjes.

Në pikën e dytë të dispozitivit të aktakuzës, Nezir Aliu akuzohet se në datën, kohën dhe vendin e njëjtë si në pikën e parë të aktakuzës, në cilësinë e zyrtarit të gjendjes civile, ka falsifikuar dokumentin zyrtar ashtu që ka nënshkruar dhe vulosur ekstraktin e lindjes të lëshuar në emër të Ali Sallkoviq.

Me këtë, akuzohet se ka kryer veprat penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “falsifikim i dokumentit zyrtar”.