Foto-ilustrim

Shtyhet Gjykimi i Kryeinspektorit të Kamenicës

Latifaj akuzohet për keqpërdorim detyre në cilësinë e kryeinspektorit të Komunës së Kamenicës.

Prokurori Kadriu propozoi shtyrjen e gjykimit, ngase një prokuror tjetër është pjesë e ndjekjes penale të Latifajt.

“Propozoj që ky shqyrtim të shtyhet pasi që prokurori i rastit Afrim Shefkiu gjendet në udhëtim zyrtar jashtë vendit dhe pasi që unë nuk jam i njohur me lëndën. propozoj që gjykimi të shtyhet për datë tjetër,” tha Kadriu.

Shemsedin Pira dhe Selami Rexhepi, mbrojtësit e të akuzuarit Refik Latifaj, nuk kundërshtuan propozimin e avokatit dhe gjyqtari i çështjes Aziz Shaqiri mori aktvendim që gjykimi të shtyhet për datën 3 qershor.

Sipas aktakuzës, Refik Latifaj gjatë periudhës kohore 2013/14 në cilësinë e shefit të Inspektoratit Komunal të Kamenicës në vazhdimësi ka keqpërdorur detyrën zyrtare duke ndihmuar në forma të ndryshme mbi 6 kompani që merren me eksploatimin e rërës dhe zhavorrit.

Aktakuza sqaron se këtë ndihmë Latifaj e ka bërë duke dhënë instruksione për eksploatim ilegal të rërës dhe zhavorrit dhe duke i udhëzuar kompanitë që të pajisen me dokumente fiktive doganore si mbulesë e veprimtarisë së tyre.