Klubi Atletikës ‘Rogana”. Foto: Facebook/ Klubi “Rogana’.

Komuna e Kamenicës zgjedh sportistët e vitit 2022, reagon Klubi i Atletikës ’Rogana’

Klubi i Atletikës “Rogana” nga Rogana e Kamenicës ka reaguar pas ndarjes së çmimeve për sportistët e dalluar për vitin 2022 nga Komuna.

Komuna e Kamenicës ka zgjedhur të hënën sportistët më të dalluar  në kuadër të eventit “Sportisti i vitit 2022”.

Klubi “Rogana” pretendon se Komuna nuk ka dhënë vlerësimin e duhur për klubin dhe sportistët e tij gjatë ndarjes së çmimeve.

Pretendimi i klubit “Rogana” është mohuar nga zyrtarë të Komunës së Kamenicës.

Rinë Matoshi, drejtoreshë për Kulturë, Rini dhe Sport në Komunën e Kamenicës tha për KALLXO.com se klubi “Rogana” nuk i ka sjellë dëshmitë e nevojshme për sukseset e arritura sipas thirrjes publike, për propozimet për zgjedhjen e sportistëve për vitin 2022.

“Në propozimin për sportistët duhet, në mënyrë të qartë, të përshkruhet aktiviteti i secilit sportist dhe të specifikohen të gjitha garat ekipore dhe individuale në të cilat ka garuar sportisti dhe dëshmitë për suksesin të cilin e ka arritur në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar gjatë vitit 2022. Në këtë rast Klubi Atletik “Rogana”, sipas kritereve të paraqituara në thirrje publike, ka qenë i obliguar që, krahas propozimeve dhe pjesëmarrjeve në gara, të sjellin edhe dëshmitë për suksesin e arritur. Dëshmitë (mirënjohjet, diplomat, certifikatat) për arritjet e cekura, kanë munguar në dosjen e Klubit, megjithatë Komisioni ka vendosur që ky klub të mos penalizohet”- ka thënë drejtoresha Matoshi.

Ajo tha se dy sportistë të klubit “Rogana” janë shpërblyer me çmimin për vitin që shkoi; Astrit Kryeziu me çmimin “Sportist i dalluar për vitin 2022” dhe Amar Kryeziu me çmimin “Shpresat e Sportit të Komunës së Kamenicës”.

Por, Mirsad Kryeziu, sekretar i Klubit të Atletikës “Rogana” ka thënë se nuk qëndron pretendimi i drejtoreshës Matoshi se Klubi “Rogana” nuk i ka dërguar informacionet e sakta për sukseset e klubit dhe sportistëve për 2022.

“Dokumentacioni për propozimet që është dërguar nga klubi ka qenë i kompletuar. Certifikata, diplomat e mirënjohjet nuk dërgohen për përzgjedhjen e sportistëve të vitit, por dërgohet kalendari i garave, dërgohen rezultatet (sukseset)  e nëse komisioni përzgjedhës kërkon dëshmi shtesë, atëherë ne i dërgojmë dëshmitë për sukseset e arritura”- ka thënë Kryeziu.

Ai e ka quajtur të qëllimshëm mosvlerësimin e klubit të tij nga ana e komisionit komunal. Sipas tij, Klubi “Rogana” për vite është i pakonkurrncë në komunën e Kamenicës.

“Të gjitha sukseset që numëron Federata e Atletikës së Kosovës i ka arrutur me emrin e Klubit ‘Rogana’. Klubi për vite mban barrën kryesore të pjesëmarrjes në të gjitha garat ndërkombëtare të Federatës së Atletikës së Kosovës. Andaj, këto suksese nuk mund të nënçmohen deri në atë pikë nga Komuna jonë (Kamenica). Për këtë edhe kemi reaguar” -tha ai.

Edhe në thirrjen e Komunës së Kamenicës për propozimet për shpalljen e sportistëve për vitin 2022, të datës 17.01.2023, nuk kërkohet specifikisht që diplomat, certifikatat e mirënjohjet të jenë pjesë e dosjes së laureatëve.

“Në propozimin për laureatët duhet në mënyrë të qartë të përshkruhet aktiviteti i secilit sportist dhe të specifikohen të gjitha garat ekipore dhe individuale në të cilat ka garuar sportisti dhe suksesin të cilin e ka arritur në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar gjatë vitit 2022”- thuhet në thirrjen e Komunës së Kamenicës për propozimet për sportistët e vitit 2022.

Një ditë më parë,  Komuna e Kamenicës ka bërë të ditur përmes një postim në Facebook se në kuadër të manifestimit “Flaka e Janarit”, Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport ka mbajtur eventin “Sportisti i vitit 2022″, duke ndarë ndarë çmimet për disa kategori.

Klubi më i mirë për vitin  2022 është shpallur Klubi i Karatesë “Arbëria”, trajneri më i dalluar  për vitin 2022- Nexhmedin Isufi nga Klubi i Karatesë “Arbëria”, ndërsa, çmimi gjyqtari më i dalluar për vitin 2022 iu dha Fatlum Rexhepit.

Komuna ka ndarë edhe çmimet për sportistët e dalluar për vitin 2022 e çmime të tjera.

Klubi i Atletikës ‘Rogana” është themeluar në 2006. “Rogana” konsiderohet klubi më i suksesshme i atletikës në vend.  Vitin që shkoi ky klub është shpallur kampion kombëtare në atletikë, ndërsa sportistët e tij kanë arriturit të mbledhin medaljet kryesore në garat kombëtare në vend. Në 2016 sportistët e “Roganës” kanë përfaqësuar Kosovën në Lojrat Olimpike në Rio të Brazil dhe më 2021 në Tokio të Japonisë. Vitin e kaluar atleti i këtij klubi Astrit Kryeziu ishte pjesë e ekipit Olimpik të Kosovës në lojërat mediterane “Mediteran Game” që u mbajtën në Oran të Algjerisë.