Foto: Kallxo.com

Shqyrtohen mundësitë e shfrytëzimit të vullnetit të gazetarëve për bashkëpunim

Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN) mbajti tryezën e radhës lidhur me nxitjen e punës së përbashkët mes gazetarëve të komuniteteve të ndryshme dhe mediave në Kosovë.

Projekti i ndarë në katër aktivitete është mbështetur nga Zyra e bashkimit Europian në Kosovë dhe po realizohet për të dytin vit rresht.

Përfaqësuesi i Zyrës së Bashkimit Europian, Riccardo Serri, tha se është kënaqësi që po e mbështesin këtë projekt sepse janë mbledhur gazetarë nga vende e komunitete të ndryshme, për të diskutuar për problemet e tyre.

“Ju jeni shtylla e këtij komuniteti dhe shtylla e një shoqërie demokratike në Kosovë. I përkisni një shoqërie shumë etnike me kultura të ndryshme por gazetaria duhet të ketë përpjekje stabilizuese”, tha ai.

Serri tha se kjo tryezë është një përvojë e mirë për ta përmirësuar punën e përbashkët mes komuniteteve.

Ai në fund u bëri thirrje që të raportojnë neutral e mos të jenë të anshëm.

Drejtori i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Petrit Çollaku, tha se gazetarët e gjitha komuniteteve tashmë po e njohin njëri-tjetrin dhe kanë filluar urat e bashkëpunimit.

“Ajo se çka kemi të përbashkët me kolegët tjerë të rajonit në Serbi, Mal të Zi, Bosnje, Kroaci e Shqipëri, është që i kemi telashet e njëjta”, tha ai.

Sipas tij, mediat profesionale janë cak i vazhdueshëm i sulmeve nga qeveritë e grupet e ndryshme të interesit.

Çollaku tha se kanë bërë një porosi të qartë për të gjitha qeveritë se kërcënimi e dhunimi fizik nuk do të tolerohet.

Foto: Kallxo.com

Ai tha se për këto 3 vite AGK-ja ka arritur që të bashkëpunojë më shumë më gjykatën, policinë e prokurorinë e shtetit.

“Është shënuar një hap i madh në këtë drejtim dhe rastet e kërcënimeve e dhunës ndaj gazetarëve duhet të lajmërohen në mënyrë që kryesit të sillen para drejtësisë”, u shpreh ai.

Çollaku i inkurajoi gazetarët e komunitetit serb që të tregojnë për problemet që ata hasin.

Gazetarja Sanja Sovrliq nga portali ‘Crnobelisvet’ në veri të Kosovës tha se situata në gazetari në përgjithësi është e njëjta si e shoqërisë.

“Gazetaria shpesh merr anë dhe po të kishim media më të mira nuk do të kishim shumë probleme por sido që të jetë, mediat ndjekin politikat zyrtare. Kemi edhe media që  e ndjekin punën profesionale por nuk dëgjohet zëri i tyre”, deklaroi ajo.

Redaktorja e Radio Televizionit të Kosovës, Rabisha Muhaxhiri, tha se RTK-ja nuk i ka këto probleme që mediat tjera i kanë meqë brenda saj funksionojnë redaki për të gjitha gjuhët që fliten në Kosovë.

“Të flasësh 19 pas luftës për diversitet gjuhësor është diçka që duhet t’i lëmë edhe vetës fajin sepse  e kemi harruar rolin tonë në aspektin profesional të medias”, tha ajo.

Sipas saj, shoqëria është demokratike aq sa ka diversitet gjuhësor.

“RTK është mediumi i vetëm nacional në botë që ka edicion të rregullt të lajmeve në gjuhë të huaja”, tha ajo.

Ndërsa redaktori në gazetën ‘Zëri’, Lavdim Hamidi tha se shumica e gazetarëve në Kosovë nuk dinë gjuhë të huaja dhe vetëm ata që e kuptojnë gjuhën ose kanë përkthyes mund të informohen.

Foto: Kallxo.com

Sipas Hamidit, nuk ka bashkëpunim të kënaqshëm mes gazetarëve të komuniteteve të ndryshme sepse ka nuk ka shkëmbim mes tyre.

“Nuk kemi pasur gazetarë të komuniteteve të tjera që kanë ardhur për të qëndruar në redaksinë tonë, për të parë se si punojmë”, tha ai.

Sipas tij, politika ka ndikim negativ në këtë aspekt.

E redaktori i KALLXO.com, Përparim Isufi tha se kur ka filluar implementimi i këtij projekti, vitin e kaluar, ka pasur pritje të vogla për rezultatet që mund të arrihen por, sipas tij, vullneti i gazetarëve për bashkëpunim ka qenë i madh.

“Brenda tetë artikujve që i kemi bërë në bashkëpunim me gazetarët e të gjitha komuniteteve brenda dy viteve, shkalla e refuzimit apo hezitimit të gazetarëve për të bashkëpunuar me njëri- tjetrin është zero”, tha Isufi.

BIRN ka organizuar një tryezë të njejtë edhe në Graçanicë për ta rritur bashkëpunimin ndërmjet gazetarëve dhe mediave nga të gjitha komunitetet.

https://kallxo.com/birn-organizon-tyrezen-per-rritjen-e-bashkepunimit-te-gazetareve/

Një tryezë tjetër është mbajtur në fillim të këtij muaji në Mitrovicën e Veriut.

https://kallxo.com/gazetaret-duhet-te-mesojne-gjuhen-e-dy-paleve-per-te-pasur-bashkepunim/

Projekti i këtij viti ka prodhuar tre artikuj në të cilët autorë janë gazetarët nga komunitete të ndryshme në Kosovë:

Tezga nuk njeh etni

Të papërfaqësuarit: Romët e egjiptasit numërojnë pasojat e mungesës në institucione komunale

Mes dëshirës dhe pamundësisë për shkollim