Lagja e Terzive, Prizren. Foto: Kallxo.com

Të papërfaqësuarit: Romët e egjiptasit numërojnë pasojat e mungesës në institucione komunale

Për Bashkim Veshallin është e pakuptimtë pse një gyp që rri ngrehur mbi asfaltin e ngrohtë para shtëpisë së tij nuk nxjerr ujë tash e saj vjet.

Prizrenasi, banor i ‘Lagjes së Terzive’ të banuar kryesisht nga komuniteti rom, thotë se ndërtimi i një fontane në atë vend, fare pranë shtëpisë së tij do t’ui shërbente për të mirë banorëve të lagjes.

“Ujë ka por çeshmen nuk po e rregullojnë”, thotë Veshalli, rreth të pesëdhjetave.

Bajram Cano ka një hall tjetër.

Që nga paslufta ai nuk mund ta gëzojë shtëpinë të cilën e kishte ndërtuar me mundin e vet gjatë punës në Gjermani.

Janë bërë 19vjet që ai është larguar nga ajo shtëpi mbi lagjen Tusus të qytetit.

Bashkim Veshalli, ‘Lagja e terzive’, Prizren. Foto: Kallxo.com

Sot shtëpisë së tij nuk mund t’i gjendet dera e hyrjes.

Krah saj kanë zënë vend inertet që kanë “rrjedhë” nga kodra mbi shtëpinë- gërmadhë.

Kur është kthyer nga Germania për t’i kaluar vitet e pleqërisë në qytetin e tij, ai nuk ka një adresë ku të ankohet.

“Nuk shkoj në atë shtëpi. Kam qenë para një viti por aty kane hedhur bërrlok. Nuk di as ku të shkoj të kërkoj që të kthehem në shtëpi”, thotë Cano.

Komuniteti rom në Prizren po i kalon vitet dhe po i ‘arkivon’ kërkesat në heshtje, në mungesë të një zëri në institucionet lokale në Prizren.

Zgjedhjet lokale të vitit të kaluar e kanë lënë këtë komunitet pa asnjë përfaqësues në asamblenë komunale.

Kryetari i komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, thotë se mungesa e përfaqësimit të pakicave në asamblenë komunale nuk ndikon në realizimin e projekteve për këto komunitete.

“Kjo nuk ndikon asgjë që ata të mos marrin pjesë në projekte. Kështu është gjendja. Në aspektin e projekteve nuk ndikon pasi ka komision për komunitete dhe ka përfaqësues ne ato komisione. Kemi kontakte me ata që përfaqësojnë komunitetin ashkali e egjiptas. Nuk ndikon asgjë kjo në projekte përndryshe kam edhe disa marrëveshje mirëkuptimi edhe me radion por edhe me shoqërinë civile të cilët janë të involvuar në çështjen për të cilën ju po më pyesni”, tha Haskuka.

Bajram Cano, Prizren, në lagjen ku e ka shtëpinë e shkatërruar që nga paslufta. Foto: Kallxo.com

Përderisa komuniteti po i vuan pasojat e mospërfaqësimit në nivel lokal, organiztatat lokale të shoqërisë civile po mundohen që t’i zbusin dëmet e krijuara.

Osman Osmani që drejton OJQ-në “Nevi Koncepti” në Prizren thotë se kjo ka ardhur nga mungesa e organizimit të partive që përfaqësojnë romët.

Osmani thotë se përgjegjës kryesor për këtë situatë është vetë komuniteti.

“Faji është edhe te komuniteti i cili nuk është i vetëdijshëm se cka don të thotë përfaqësimi në nivel lokal duke pasur parasysh se edhe legjislacioni ekzistues, kur shumica e çështjeve vendosen në nivel lokal, për fat të keq ata nuk e kanë zërin e tyre për të bërë ndryshime”, thotë Osmani.

Por, ai shton se në këtë rast, edhe votuesit nga komuniteti rom janë viktimë e politikave të përditshme dhe fenomenit të shitjes së votës.

“E dimë se komuniteti, shpesh, për një ndihmë të vogël, votën e vet e jep te partitë tjera të cilat në fillim kanë premtime, por kur vjen koha e mbajtjes së tyre as nuk i dëgjojnë kërkesat e komunitetit”, thotë ai.

Sipas Osmanit, kjo situatë po përsëritet çdo herë.

“Mungesa e përfaqësimit reflektohet edhe në infrastrukturën e lagjeve ku jeton komuniteti rom (në Prizren) i cili është i përqendruar në së paku 11 lagje. Po të mos kishte pasur shoqëri civile për të bërë avokim, shumë nga këto çështje do të kishin mbetur të parealizuara”, thotë ai.

Osman Osmani, Drejtor Ekzekutiv i OJQ-së “Nevo Koncepti”

Problem i njëjtë, po e përcjell edhe komunitetin egjiptas në një komunë tjetër, atë të Pejës.

Zgjedhjet e fundit lokale nuk i dhanë atyre asnjë përfaqësues në nivel lokal dhe kjo, sipas Elbert Krasniqit, ushtrues i detyrës i partisë Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës (IRDK) po tregohet me pasoja negative.

“Mospërfaqësimi i komuniteteve ne kuvendet komunale ka ndikim shumë negativ, për faktin se këto grupe etnike që përbëjnë një përqindje të qytetarëve në komuna nuk kanë përfaqësim. Marrë për bazë edhe specifikat e këtyre qytetarëve mundemi me konkludu që interesat e tyre në këtë mandat nuk do të dëgjohen aspak”, tha Krasniqi.

Ai thotë se ka shumë faktorë që kanë ndikuar që ky grup etnik të mbetet i papërfaqësuar në asamblenë komunale, por një prej tyre është shpërndarja e votës së votuesve të komunitetit.

“Ka shumë faktorë që kanë ndiku në mospërfaqësim si për shembull më shumë se një subjekt politik për këto komunitete e ka shpërnda votën e tyre, mosmbështetja e kryetarëve të komunave për asambleistat e komuniteteve, dhe votimi i komuniteteve për kandidatë nga parti tjera, jo votë etnike”, tha Elbert Krasniqi.

Lagja ku jeton komuniteti egjiptas në Pejë. Foto: Kallxo.com

Ai tha se si rezultat i kësaj, komuniteti egjiptas do ta humbë edhe pozitën e nënkryetarit të samblesë komunale që zakonisht ka qenë i rezervuar për një përfaqësues të komuniteteve.

“Edhe pse këtë, me vullnet politik, kryetari i Komunës dhe Kuvendi Komunal munden me e tejkalu me votimin e një kandidati konsensual nga komunitetet”, tha ai.

Ndërsa Durim Sheremeti, shef i kabinetit të kryetarit të komunës së Pejës, tha se mungesa e përfaqësuesve të komuniteteve pakicë në asamblenë komunale nuk do të ndikojë keq në trajtimin e tyre.

“Komuna e Pejës secilin lokalitet të saj e trajton në mënyrë të barabartë, duke investuar në të gjitha ato pjesë ku është e nevojshme. Duke u nisur nga ku fakt, nuk do të ndikojë fare mospërfaqësimi i komuniteteve në asamble komunale me këshilltarë komunalë”, tha Sheremeti.

 

Ky artikull është prodhuar si pjesë e një projekti të bashkëpunimit të gazetarëve të të gjitha komuniteteve të Kosovës, i mbështetur nga Zyra e Bashkimit Europian në Kosovë, i implementuar nga Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN), Zyra në Kosovë.