Produkte bujqësore në tregun e Graçanicës. Foto: Kallxo.com

Tezga nuk njeh etni

Mëngjesi i një dite qershori e gjen 79 vjeçaren Desanka Marinkoviq në skaj të rrugës kryesore në Graçanicë, aty ku nis tregu i kësaj komune.

Patatet, trangujt, domatet dhe produktet tjera të pranverës janë krejt ato që kopshti i saj i vogël por që i siguron produkte për përdorim familjar dhe për treg.

I ndodhur në qendër të kësaj komune të vogël, tregu ofron qasje të lehtë për kalimtarët e vendbanimit por edhe për të tjerë të interesuar që kalojnë atypari, meqë gjendet pranë rrugës magjistrale që lidh Gjilanin dhe Prishtinën.

“Kam ardhur që nga mëngjesi dhe kam shitur vetëm 1 kilogram e gjysmë kastraveca. Mungojnë konsumatorët, mungojnë paratë”, ankohet ajo.

Tregu është më i populluari të marteve dhe të premteve, atëherë kur shitës e blerës mblidhen nga rrethet më të gjera të komunës për t’i bërë pazaret e veta.

Desanka marinkoviq thotë se produktet e saja janë të freskëta, të marra po atë ditë nga kopshti të cilin e punon me familjarët e saj.

Kjo, sipas saj, e bën dallimin e produkteve të saj me ato që u ofrohen konsumatorëve nëpër markete.

“Ato të marketeve rrinë me ditë të tëra ndërsa tonat janë të freskëta”, thotë ajo.

Në tregun në të cilin shitësit janë kryesisht serbë, blerësit flasin gjuhë të ndryshme.

Desanka Marinkoviq, shitëse në tregun e Graçanicës. Foto: Kallxo.com

Hazir Haziri, 68 vjeçar, banor i komunitetit rom në Graçanicë, thotë se çmimet treg janë të papërballueshme për një familje që nuk mund ta mbyllë muajin me të ardhurat e veta.

“Të shtrenjta nuk janë sepse janë të freskëta, por kur i ke punët keq me të ardhura, çdo gjë duket shtrenjtë’, thotë ai.

Vetë Desanka Marinkoviq thotë blerës nga të gjitha komunitetet i afrohen vendit ku ajo shet produktet bujqësore.

“Ka blerës edhe serbë edhe shqiptarë. Këtu nuk bëjmë dallime. Fqinji rri atje, unë rri këtu. Kush dëshiron të bëjë dallime, le të bëjë. Këtu në treg ne nuk bëjmë dallime”, thotë ajo.

Në anën tjetër të tregut, 76 vjeçarja Nadica Cvejiq, ka zënë një çadër për ta përballuar të ngrohtin e qershorit dhe pret myshterinjtë.

Ajo ankohet për kushtet e tregut, i cili ndodhet fare pranë një lumi që përshkon Graçanicën përmes, por që kundërmon nga papastërtia.

Duke parë fuqinë e ulët blerëse në Graçanicë, Nadica shpreson që një ditë t’i krijohen kushtet që produktet e saj t’i shesë në ndonjë treg të Prishtinës.

“Do të shkoja me gjithë qejf por nuk kam guxim”, thotë ajo.

Por aty ku është, ajo kërkon kushte më të mira.

Tregu në Graçanicë. Foto: Kallxo.com

“Na duhen tezga sepse është e papërballueshme kështu si është në këtë mot të nxehtë”, thotë Nadica.

Edhe Milanka Grbiq, 60 vjeçare nga fshati Gushtericë, gjendet çdo ditë në njërën nga tezgat e këtij tregu.

Ajo thotë se me të ardhurat nga shitja e produkteve bujqësore e mban familjen, meqë nuk mund të mbijetojnë me paratë e një pensioni që merr burri i saj, përderisa katër fëmijët i ka të papunë.

Por ajo ka vërejtje për kushtet e tregut.

“Nuk ndihme e sigurt këtu sepse frikësohem nga ndonjë infektim. Tregu është shumë afër kanalit dhe frikësohem se produktet mund të prishen”, thotë Grbiq.

Tregu në Graçanicë. Foto: Kallxo.com

Nja 60 kilometra në lindje të Graçanicës, tregu në Kamenicë ka ofruar gjithmonë tezga për shitësit shqiptarë e serbë duke krijuar një oazë multietniciteti.

Dita e premte për qytetarët e Kamenicës nuk është një ditë e zakonshme si në qytetet e tjera. E kjo ngase po në këtë ditë hapet tregu i cili është për të gjithë qytetarët e këtij vendi, pa marrë parasysh se cilit komunitet i përkasin.

Edhe pse këtë treg e frekuentojnë kryesisht moshat më të vjetra, tregtarët e Kamenicës janë shprehur mjaft të kënaqur për raportet mes vete.

Tregu në Kamenicë. Foto: Kallxo.comFaik Abdyli, tregtar për shumë vite në tregun e Kamenicës, thotë se vendi është treg i lirë dhe ka një bashkëpunim të mirë mes serbëve dhe shqiptarëve.

“Në tregun tonë edhe ne shqiptarët edhe komuniteti serb bëjmë tregti së bashku. Asnjëherë s’kemi pasur probleme, është treg shumë i lirë. Edhe konsumatorët janë të të dyja etnive, edhe serbe edhe shqiptare. Asnjëherë nuk kemi pasur mosmarrëveshje, që nga pas lufta që jam në këtë treg nuk kemi hasur në konflikte vetëm se e kemi zgjeruar bashkëpunimin”, ka thënë Abdyli.

Tregu në Kamenicë. Foto: Kallxo.com

Të njëjtin mendim ka ndarë edhe tregtari nga komuniteti serb, Vlago Ineskajoviq.

Ai tha se me shqiptarët kanë bashkëpunim shumë të mirë.

“Çdo të premte ne dalim në treg dhe tek ne blejnë edhe shqiptarët edhe serbët.  Unë qe 40 vite punoj në këtë treg dhe asnjëherë nuk kemi pasur probleme, shpesh herë ne i ndihmojmë njëri-tjetrit t’i zhvendosim sendet nga njëra anë në tjetrën. Ne kemi komunikim shumë të mirë mes vete dhe nuk kemi kufij në raportet tona. Edhe shqiptarët blejnë tek ne edhe ne blejmë tek ata, pa asnjë problem”, ka deklaruar Ineskajoviq.

 

Ky artikull është prodhuar si pjesë e një projekti të bashkëpunimit të gazetarëve të të gjitha komuniteteve të Kosovës, i mbështetur nga Zyra e Bashkimit Europian në Kosovë, i implementuar nga Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN), Zyra në Kosovë.