Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti | Foto: Komuna e Prishtinës

Shpend Ahmeti Njëri nga Lëvizësit e Evropës

Shpend Ahmeti është përzgjedhur nga faqja e internetit “Politico.eu” në mesin e 28 njerëzve që me ndikimin dhe punën e tyre po i japin formë dhe po e lëvizin Europën.

Kjo faqe e ka nxjerrë të 28-in Ahmetin në një listë me emra të njohur të politikës evropiane të cilën e kryeson kryetari i Londrës Sadiq Khan.

Në mesin e 28 personave që ndikojnë Evropën është edhe përfaqësuesja e lartë e BE-së Federica Mogherini dhe kryetari i Turqisë Erdogan.

Në tekstin për Ahmetin tregohet se ai mysafirët e parë që i erdhën në zyrë kur e mori detyrën në fillim të 2014-ës i kishte auditorët.

Në CV-në e Ahmetit si kryetar komune përmendet edhe vendimi i tij për nxjerrjen në ankand të veturës “Audi Q7” që e shfrytëzonte ish-kryetari i Prishtinës Isa Mustafa.

Në shtator KALLXO.com shkroi se kjo veturë pasi nuk i ishte gjetur blerës ende mbahej në garazhet e Komunës së Prishtinës.

http://kallxo.com/audi-q7-e-mustafes-ende-ne-garazhin-e-komunes/

Te arsyetimi i “Politico.eu” për përzgjedhjen e Shpend Ahmetit në listën e ndikuesve të Europës përmendet edhe jeta e natës në Prishtinë dhe konsumimi i madh i makiatove në kryeqytetin kosovar.

KALLXO.com ka provuar të kontaktojë edhe Ahmetin për ta pyetur se si e komenton përzgjedhjen e tij në mesin e atyre që formësojnë Evropën, mirëpo ai ndodhet jashtë shtetit dhe ende nuk është përgjigjur.