Ministria e Financave

Shiten Letra me Vlerë në Shumë Prej 10 Milionë Euro

Qeveria e Kosovës, përkatësisht Ministria e Financave, ka mbajtur ankandin për shitjen e obligacioneve 7 vjeçare.

Ankandi për emetimin e obligacioneve është mbajtur dje.

Sipas një njoftimi të Ministrisë së Financave, emetimi i suksesshëm i obligacioneve me maturitet më të gjatë shënon zhvillim të mëtutjeshëm të tregut të letrave me vlerë, që është njëherësh edhe objektiv i saj.

Kërkesa e tregut ishte më e lartë se vlera nominale e obligacioneve.

“Shuma nominale e Obligacioneve të emetuara në këtë ankand ishte 10,000,000 Euro, përderisa tregu shfaqi kërkesë prej 12,600,000 Euro”, thuhet në njoftim.

Emetimin e obligacioneve për herë të dytë me maturitet 7 vjeçar Ministria e Financave e bën duke u bazuar në kalendarin vjetor të Letrave me Vlerë të Qeverisë së Republikës së Kosovës për vitin 2017.