Komuna e Gjilanit | Foto: Atdhe Mulla

Shembet tavani i shkollës në Gjilan, nxënësit largohen pa u lënduar

Një pjesë e tavanit ka rënë në një klasë të shkollës fillore “Vehbi Ibrahimi” në fshatin Uglarë të Gjilanit.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë në Rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani.

“Po mund të konfirmoj se ka ndodhur një gjë e tillë në shkollën “Vehbi Ibrahimi” në Uglarë të Gjilanit. Rasti ka ndodhur dje. Njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes. Nuk ka persona të lënduar”, tha Hashani për KALLXO.com.

Ai shtoi se me urdhër të prokurorit është caktuar masa e arrestit për 48 orë për  pronarin e kompanisë e cili ka kryer punimet në këtë shkollë.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe me drejtorin për Arsim në Komunën e Gjilanit, Nazim Gagica, i cili tha se si pasojë e rënies së pjesës së tavanit nxënësit nuk kanë mbajtur mësim për shkak të ekspertizës e cila po bëhet.

“Ka rënë pjesa e stiroporit. Ajo ka filluar të bie gradualisht dhe nxënësit të cilët kanë qenë në klasë janë larguar dhe nuk është lënduar askush” tha Gagica për KALLXO.com.

Ai shtoi se dy muaj më parë është bërë lyerja e kësaj shkolle, por jo renovimi i plotë.

“E kemi dërguar ekipin e komunës për ekspertizë dhe raporti po besoj se dorëzohet deri nesër në mëngjes dhe në momentin që dorëzohet raporti nxënësit mund të fillojnë mësimin” tha Gagica për KALLXO.com.