Pajisje robotike, e realizuar nga nxënësit e shkollës fillore "Vëllezërit Frashëri" në Lipjan Foto: KALLXO.com

Sukesesi i nxënësve të shkollës fillore të Lipjanit në robotikë – VIDEO

Në shkollën fillore “Vëllezërit Frashëri” në Lipjan, punohen tash e sa vite projekte të robotikës nga nxënësit dhe me këto projekte ata marrin pjesë në gara të teknologjisë. Këtë vit, ata do ta përfaqësojnë Kosovën në Olimpiadën e Gjenive në Amerikë, mirëpo ky nuk është suksesi i vetëm i tyre.

Robotika ka mbushur kabinetet dhe korridoret e shkollës fillore “Vëllezërit Frashëri” në Lipjan.

Në këtë shkollë nxënësit punojnë pas orarit të mësimit disa projekte, me të cilat marrin pjesë në gara dhe sfida të ndryshme të teknologjisë.

Me projektet që i kanë punuar për këtë vit, ata do ta përfaqësojnë Kosovën në Olimpiadën e Gjenive, në Amerikë.

Këta nxënës e përbëjnë grupin e teknologëve të kësaj shkolle, i cili daton që nga viti 2006, me përbërje 80 deri 100 nxënës pothuajse për çdo vit.

Ata fillimisht e kanë sfiduar vetën e tyre në gara të organizuara nga USAID brenda Kosovës, pastaj kanë vazhduar të zgjerojnë interesimin edhe në gara jashtë Kosovës.

Hajriz Rashiti, arsimtar i teknologjisë në këtë shkollë, njëherit edhe udhëheqës i këtij grupi, ka thënë se për shkak të rezultateve të mira në garat e Kosovës, është paraqitur nevoja që të provojnë të dalin edhe jashtë Kosovës, dhe ata depërtuan jashtë që nga viti 2018, fillimisht në Amerikë.

“Mirëpo na nuk u ndalëm veç me aq, vitin tjetër e provuam me shku në Keni, është një garë atje në Nairobi të Kenisë, edhe kemi shku me dy projekte atje, kena marrë një medalje të argjendtë edhe një të bronztë” – ka thënë Rashiti për KALLXO.com.

Në anën tjetër, nxënësit thonë se këto aktivitete iu pëlqejnë shumë, dhe se kanë mësuar shumë prej tyre.

“Këto aktivitete shumë më kanë pëlqy për shkak se robotika ëshë një gjë që më pëlqen se rritë interesin dhe nivelin e kreativitetit te një fëmijë” – është shprehur nxënësja Marta Çerkini.

“Mua më ka pëlqy shumë edhe kam mësu shumë eksperienca të reja, kam mësu pjesë të reja, kam mësu qysh bëhet programimi i EV3 [robotit], kam mësu edhe me lëvizë me lidhjen me telefon” – ka treguar nxënësi Blend Lekiqi.

Këta nxënës kanë thënë se, këto aktivitete janë shumë të nevojshme për ta, ani pse kanë pasur disa sfida përgjatë punimit të tyre.

“Nuk ka qenë edhe punë shumë e lehtë, por ne me grupin tonë dhe me ndihmën e arsimtarit tonë, ne kemi përfunduar këtë punë së bashku” – ka thënë Lekiqi.

Këtë vit ata kena aplikuar me katër projekte, tri prej tyre kanë të bëjnë me robotikë dhe një me shkencë.

Përgatitjet për garën në Amerikë kanë filluar që në gusht të vitit të kaluar, duke punuar gjatë ditëve të javës 4-5 orë në ditë.

Për shkak të numrit të madh të projekteve që i kanë, ata nuk kanë hapësira të mjaftueshme që t’i mbulojnë.

Kurse, materialet kryesisht që i kanë përdorur disa i kanë fituar nga sukseset në garat e mëparshme të USUSAIDt, mirëpo atyre iu ndodhë shpesh të kenë nevojë për mjete tjera teknike, të cilat i ka siguruar personalisht vet arsimtari.

Nxënësit kanë prezantuar projektet e tyre para kamerave të KALLXO.com, dhe kanë treguar se janë të përgatitur t’i prezantojnë ato në Amerikë.

“Projekti ynë i ka tri lloje transportesh, duke filluar nga transporti ujor, hekurudhor edhe rrugor, si dhe e kemi edhe qendrën tregtare, të cilat të gjitha këto lloje të transporteve, qendra tregtare, kanë më u furnizu me energji elektrike, mirëpo jo në bazë të djegies së elementeve apo materilave fosile, por përmes energjisë diellore” – prezantoi projektin Dea Rudari, para kamerave të KALLXO.com.

Për shkak të shpenzimeve që do t’i kenë deri në Amerikë, drejtoria e shkollës ka bërë kërkesë për mbështetje në Drejtori të Arsimit në Lipjan, dhe Ministri të Arsimit (MASHT).

Rasim Hasani, drejtor i arsimit në Lipjan, ka konfirmuar për KALLXO.com se do t’i mbështesin ekipin që do të shkojnë në Amerikë.

“Ju informojë se drejtoria e shkollës ‘Vëllezërit Frashëri’ ka dorëzuar kërkesë edhe në Ministri të Arsimit dhe në Komunën e Lipjanit. Kryetari i komunës ka vendosur që t’i përkrah këta nxënës me 10,000 euro” – ka deklaruar Hasani, në përgjigjen e tij me shkrim.

Kurse, Edona Maliqaj, këshilltare e për media në MASHT, ka bërë të ditur se edhe ata do t’i mbështesin këta nxënës.

“Ju informojmë se MASHTI e ka miratuar kërkesën për mbështetje financiare të nxënësve të SHFMU ‘Vëllezërit Frashëri’ nga Lipjani për pjesëmarrje në garat ndërkombëtare, Genius Olympiad New York, SHBA. Shuma totale e kësaj mbështetje është 7500 euro” – ka informuar Maliqaj, për KALLXO.com.

Ekipi që do të shkoj në Amerikë përbëhet nga 11 nxënës dhe 2 arsimtar, të cilët shpresojnë se do të dalin fitues të medaljes së artë edhe në Amerikë.