Regjistrimi i fëmijëve në institucione parashkollore private, komuna e Prishtinës hap thirrje për subvencionim
Komuna e Prishtinës ka hapur thirrjen për subvencion në vlerë prej 70 euro në muaj për regjistrim të fëmijëve në institucione parashkollore private për familjet të cilat të hyrat i kanë nën 500 euro në muaj.
Subvencionimi për regjistrim të fëmijëve në institucione parashkollore private vlen vetëm për institucionet parashkollore të licencuara nga Ministria e Arsimit.
Sipas të dhënave në thirrjen e komunës, një familje mund të aplikojë për subvencionim për më shumë se një fëmijë.
Shuma e dedikuar për të zbatuar subvencionimin është 100 mijë euro dhe do të mbulojë subvencionimin e 120 fëmijëve për këtë thirrje.
Prindërit që kualifikohen për të marrë subvencionimin detyrohen që çdo muaj të sjellin në Drejtorinë e Arsimit faturën për pagesë mujore të institucioneve parashkollore private.
Thirrja publike është e hapur nga data 1 Shtator deri me 15 Shtator 2023.
Të gjitha dokumentet duhet të dorëzohen në Qendrën për Shërbim për Qytetarë në objektin e vjetër të Komunës dhe të adresohen për Drejtorinë e Arsimit.
Detajet dhe kriteret për këtë thirrje i gjeni këtu
Subvencionimi i fëmijëve në Institucione private Parashkollore ka nisur në mandatin e dytë të ish kryetarit Shpend Ahmeti.
Viti i ri shkollor ka nisur sot, më 1 shtator në Kosovë.