Sharku: Propagandat Dashakeqe Nuk më Lanë të Bëhem Drejtor

Nahit Sharku ka ngritur një mori akuzash ndaj shumë personave dhe institucioneve që, sipas tij, kanë realizuar gjueti shtrigash ndaj ATK-së dhe personalitetit të tij.

Në kohën kur ishte shpallur konkursi për Drejtor të Administratës Tatimore të Kosovës, Sharku ishte intervistuar si i dyshuar nga njësiti i krimeve ekonomike.

Ai deklaron se deklarata të shumta që e lidhnin atë me politikë dhe krim janë bërë për të parandaluar ngritjen e tij në pozitë.

“Zgjedhja ime drejtor i përgjithshëm ishte rrezik për ta sepse do të vazhdonte kjo sepse unë nuk e kisha ndërmend ta ndalja trendin e veprimeve që kisha ndërmarrë dhe pasi policia nuk kreu punë, këshilli nuk kreu punë, dhe ajde të vazhdojmë tani me pjesën, përsëri me propagandë një fushtë më agresive tani dhe tani më nuk fokusoheshin në politikë por edhe në elementin e kallëzimit penal, ka  aktakuzë, ka kështu, unë nuk kisha dijeni që dikush është marrë me mua”, tha Sharku.

Në pjesën e fundit të trilogjisë “Vjedhja e Organizuar Tatimore”, të emisionit ‘Jeta në Kosovë’, Nahit Sharku rrëfen për punën e tij në ATK dhe presionet që ai pretendon se i janë bërë nga grupe të interesit.

Ai ka akuza direkte ndaj Shefit të Njësitit për Krime Ekonomike, Nazim Sahiti se hetimet i kishte nisur për shkak se gruaja e tij që punonte në ATK, nuk ishte avancuar në punë nga udhëheqësia e atëhershme.

“Ai kishte kërkuar nga zotri Bexhet Haliti, në bazë të informatave që marrë unë, që ajo të bëhet menaxhere, nuk kishte vepruar ashtu, pastaj vazhdimisht kishin mospajtime mes vete, shoqja e zotri Nazimit, që është një zonjë që unë e respektoj shumë… Po hakmerren ndaj zyrtarëve të Administratës Tatimore pasi nuk i kishin arritur qëllimet private”, deklaron Sharku.

Por këto pretendime i hedh poshtë Policia e Kosovës, duke i quajtur deklaratat e Sharkut të pavërteta.

“Punësimi i saj ka filluar para se (Z. Sahiti) të jetë në pozitën e Shefit të Njësisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit për Regjionin e Prishtinës. Sa i përket inicimit të rastit, nuk është e vërtetë se Zyra Ligjore e ka paraqitur, po ashtu nuk është e vërtet se ky rast është inicuar për mos avancimin e punonjëses në fjalë”, tha Policia.

Emisionin e Plotë, ‘Jeta në Kosovë’, mund ta ndiqni në linkun e mëposhtëm.