Pallati i Drejtësisë | Foto: KALLXO.com

Serbi Akuzohet se Rrahu Shqiptarin

Katërmbëdhjetë vjet pas incidentit të 24 shtatorit, gjykata e Prishtinës e ka ftuar serbin Millosh Grbiq që të paraqitet për të dhënë versionin e tij në akuzën se rrahu shqiptarin Ekrem Limani.

Sipas orarit zyrtar të gjykatës, Grbiq ishte paraparë që sot të dëgjonte akuzën që rëndon mbi të lidhur me  ngjarjen  e vitit 2002, por në mungesë të tij  gjykimi u shty për muajin tetor.

Serbi i lindur në Gushtericë të Poshtme të Komunës së Lipjanit akuzohet se më 24 shtator të vitit 2002 i shkaktoi lëndime të rënda trupore të dëmtuarit të këtij rasti, Ekrem Limanit.

Sipas aktakuzës, sulmi ndodhi pasi që Limani ishte duke udhëtuar me veturën e tij dhe në rrugën lokale të fshatit Gushtericë e Poshtme dhe fshatit Okllap, në afërsi të urës, i kishte kërkuar Grbiqit që të largonte nga rruga traktorin me të cilin kishte bllokuar rrugën.

Gjithnjë sipas aktakuzës, si pasojë e kërkesës së Limanit për zhbllokimin e rrugës, Grbiq kishte kërcyer nga traktori dhe me shufër metali e kishte goditur të Limanin.

Sipas Prokurorisë, si pasojë e goditjeve Limani pësoi lëndime trupore të cilat i shkaktuan dëmtim të përhershëm dhe serioz të shëndetit, pasi që goditjet ishin në pjesën e brinjëve.

Gjyqtari Beqir Kalludra në mungesë të të akuzuarit u desh që të shtyjë seancën për muajin tetor, ndërsa i akuzuari nuk e ka njoftuar gjykatën për arsyen e mungesës së tij.