Ura mbi lumin Drina në Visegrad | Foto: Wikimedia/Julian Nitszche

Serbët e Bosnjës do të Nderojnë Luftëtarët Rusë

Ditën e enjte veteranët serbë të Bosnjës do të ngrenë një kryq 5.5 metra të lartë në kodrën Grad pranë qytetit lindor të Visegradit kushtuar vullnetarëve rusë që luftuan në radhët e Ushtrisë Serbe të Bosnjës gjatë luftës së viteve 1992-1995.

“Ceremonia zyrtare për zbulimin e kryqit është planifikuar të mbahet më 12 prill që më parë është shpallur Dita e Veteranëve Rusë nga autoritetet në Republikën Serbe”, tha për BIRN Milisav Vasiq, kryetari i organizatës “Kapitulli i Visegradit” i veteranëve të luftës të Ushtrisë Serbe të Bosnjës.

12 prilli u zgjodh sepse atë ditë, në vitin 1993, në luftimet pranë Visegradit, tre luftëtarë vullnetarë rusë u vranë.

“Do të vendosim drita të fuqishme përreth kryqit dhe do të ndërtojmë rrugica dhe stola,” tha Vasiq.

Ai tha se monumenti ishte një donacion nga Shoqata “Veteranët Serbë të 12 Prillit “ nga Mitrovica në Kosovë.

Data e zgjedhur për zbulimin e kryqit është kontroverse, sepse është dita në të cilën nisi lufta boshnjake në vitin 1992.

Shoqata “Gratë- Viktima të Luftës”, e cila përfaqëson viktimat boshnjake të konfliktit e dënoi ngritjen e kryqit për vullnetarët rusë proserbë si një “vazhdimësi të agresionit dhe gjenocidit” kundër boshnjakëve.

“U kërkojmë të gjitha institucioneve përkatëse shtetërore, si edhe komunitetit ndërkombëtar, t’i ndalojë këto lloj sulmesh psikologjike ndaj viktimave që na kujtojnë periudhën më të errët në vendin tonë gjatë së cilës u ekspozuam ndaj formave më të këqija të abuzimit, torturimit, persekutimit dhe vrasjes,” tha shoqata në një deklaratë të publikuar nga mediat boshnjake.

Numri i saktë i vullnetarëve rusë që luftuan në radhët e Ushtrisë Serbe të Bosnjës gjatë kohës së luftës nuk dihet, por mediet kanë spekuluar se ka pasur rreth 500 deri 600 luftëtarë rusë.

Sipas të dhënave të Ushtrisë Serbe të Bosnjës, 37 vullnetarë rusë u vranë gjatë luftës.

Një pllakë përkujtimore kushtuar vullnetarëve rusë u vendos në Visegrad në nëntor 2011, me emrat të gdhendur në të të të gjithë atyre që vdiqën.

Muajin e kaluar, familjet e vullnetarëve rusë që u vranë apo u plagosën gjatë luftës në Bosnjë, morën pensione dhe përkrahje për aftësi të kufizuar, njoftoi media vendase.

Nga një total prej 43 rastesh, u morën vendime për t’u dhënë përkrahje 19 familjeve ruse.

Sipas Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, ICTY, rreth 3,000 boshnjakë duke përfshirë 600 gra dhe 119 fëmijë, u vranë në krime lufte të kryera në dhe rreth Visegradit.

Një vendimi i ICTY-së tha se forcat serbe të Bosnjës e nënshtruan Visegradin “në një prej fushatave më të plota dhe më të pamëshirshme të spastrimit etnik gjatë luftës në Bosnjë dhe Hercegovinë”.