Gra nga shoqata “Nënat e Srebrenicës” në gjykatën e Hagës në korrik 2014. Foto: EPA/BART MAAT.

Holanda fillon procesin e kompensimit për familjet e viktimave të Srebrenicës

Familjarët e njerëzve të vrarë pasi u morën nga forcat serbe të Bosnjës nga një bazë holandeze e Kombeve të Bashkuara pranë Srebrenicës në 1995 tani mund të fillojnë të aplikojnë për kompensim, por disa familje të viktimave këmbëngulin se zgjidhja e ofruar është e padrejtë.

Ditën e martë, Komisioni Holandez për Kompensim në Potocari hapi dyert e zyrës së tij në Sarajevë për pretenduesit e mundshëm të kompensimit dhe faqja e tij në internet është gjithashtu e hapur për aplikime nga të afërmit e njerëzve që u vranë pasi u morën nga baza e trupave paqeruajtëse holandeze të Kombeve të Bashkuara në Potocari pranë Srebrenicë në korrik 1995.

Por disa nga të afërmit e viktimave po refuzojnë të aplikojnë për kompensim sepse ata nuk janë të kënaqur me zgjidhjen ligjore të caktuar nga një gjykatë holandeze, sipas së cilës Holanda nuk do të duhet të rimbursojë të gjitha kostot e avokatëve të familjeve.

Munira Subasiç, presidente e shoqatës “Nënat e Srebrenicës dhe Enklavës së Zepës”, e cila ngriti çështjen para gjyqësorit holandez, tha se ajo nuk do të kërkojë kompensim për vdekjen e djalit të saj Nerminit “derisa kërkesat tona të plotësohen”.

Nëse kjo nuk do të ndodhë brenda 15 ditëve, Subasiç tha, “ne do t’i japim fund bashkëpunimit tonë dhe do të shkojmë përsëri në gjykatë”.

Më 11 korrik 1995, kur Ushtria Serbe e Bosnjës mori Srebrenicën, ushtarët holandezë të ngarkuar me sigurinë e “zonës së sigurt” të shpallur si të tillë nga Kombet e Bashkuara, nuk mundën të parandalonin vrasjet e më shumë se 7,000 burrave dhe djemve boshnjakë.

Në 2019, Gjykata e Lartë Holandeze vendosi që Holanda ishte përgjegjëse, në një masë shumë të kufizuar, për vdekjet e afërsisht 350 viktimave që u morën nga baza e Batalionit Holandez të Kombeve të Bashkuara në Potocari më 13 korrik pasi ata kërkuan strehim aty.

Gjykata e Lartë vendosi që Batalioni Holandez veproi ilegalisht sepse e dinte që burrat nga Srebrenica ishin në rrezik serioz të sulmoheshin ose vriteshin. Vendimi vlerësoi se nëse do të lejoheshin të qëndronin në bazë, shansi i tyre për të mbijetuar do të ishte dhjetë për qind.

Sipas vendimit, të afërmit më të afërt të këtyre 350 viktimave tani mund të kërkojnë kompensim nga shteti holandez për dhjetë për qind të dëmit që pësuan.

Gjykata e Apelit në Hagë vendosi më parë se shteti holandez ishte 30 për qind përgjegjës dhe Nënat e Srebrenicës që atëherë e kanë çuar çështjen në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg.

Nënat e Srebrenicës shpresojnë që gjykata e Strasburgut ta rikthejë nivelin e përgjegjësisë në 30 për qind, megjithëse avokati i tyre Simon van der Sluijs tha se ai mendon se kjo nuk ka gjasa të ndodhë.

“Nuk e kuptoj pse Holanda nuk dëshiron ta mbyllë këtë kapitull të Srebrenicës në një mënyrë të mirë”, tha van der Sluijs për BIRN.

“Ata po e bëjnë këtë procedurë dhe pagesë vetëm për shkak të vendimit të një gjykatësi. Nuk është treguar kurrë asnjë formë dashamirësie ose dhembshurie”, shtoi ai.

Prindërit, bashkëshortët dhe vëllezërit e motrat e viktimave kanë të drejtë për kompensim. Vejushat ose të afërmit e shkallës së parë të të mbijetuarve gjithashtu mund të paraqesin kërkesa të shumta – për shembull, nëse një grua ka humbur burrin dhe djalin e saj.

Vejushave do t’u jepet 15,000 euro kompensim dhe të afërmit e tjerë të mbijetuar do të marrin 10,000 euro.

Por van der Sluijs argumentoi se shuma që ofrohej për shpenzimet ligjore ishin të papërshtatshme.

“Ata ofrojnë 200,000 euro për shpenzimet, për të gjithë të afërmit e mbijetuar. Por kjo nuk është e mjaftueshme për të mbuluar të gjitha kostot”, tha ai.

Një zëdhënës i ministrisë tha se ndryshimet në rregullore e kishin bërë ofertën më bujare se më parë, dhe se ajo tejkalonte detyrimet ligjore të Holandës.

Nëna e një viktime të Srebrenicës, Mirsada Malagiç, i tha BIRN se ajo synon të aplikojë për kompensim.

“Nuk më intereson shuma. Gjëja kryesore është që qeveria holandeze të pranojë se është përgjegjëse për atë që i ndodhi fëmijës tim”, tha Malagiç, djali i të cilit Elviri ishte 22 vjeç kur u mor nga forcat serbe të Bosnjës dhe u vra.

“Srebrenica ishte një zonë e mbrojtur. Sytë e të gjithë botës ishin përqendruar te ne. Holanda duhet të na kishte mbrojtur, por ata na tradhtuan”, tha ajo.

Një zëdhënës i Komisionit Holandez për Kompensim në Potocari, tha se procedura do të jetë e thjeshtë dhe e shpejtë.

“Komisioni duhet të informojë aplikantët brenda tre muajve nga dorëzimi i kërkesës nëse kjo e fundit është miratuar. Pas nënshkrimit të marrëveshjes, shuma e kompensimit do të transferohet në llogarinë e të afërmit brenda disa orësh”, tha ai.